Viti i ri shkollor ka nisur, por librat ende nuk janë shpërndarë

Kosova

Viti i ri shkollor ka nisur, por librat ende nuk janë shpërndarë

Më: 7 shtator 2016 Në ora: 20:53
Ilustrim

Ministria e Arsimit, fillimin e këtij vit të ri shkollor e shtyu për pesë ditë, me arsyetimin e përgatitjes në tërësi të teksteve shkollore. Por, librat po mungojnë megjithëse ka nisur me vonesë viti i ri shkollor. Mësimdhënësit thonë se kjo gjë po u shkakton probleme në zhvillimin normal të planprogramit mësimor. E në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë premtojnë sërish se librat do të jenë gati, sipas tyre në fund të kësaj jave.

Për ditën e sotme e përfunduan procesin mësimor, këta nxënës të klasës së parë.  Edhe pse në sytë e mësueses janë të gjithë të barabartë nxënësit e saj, të tillë nuk janë parë nga organet arsimore në shpërndarjen e librave falas, pasi që shumë prej tyre ende nuk i kanë marrë librat.

Mësimdhënësja Elhame Morina tregon se ka mungesë të Abetares, e sipas së cilës nga 36 nxënësit sa numëron klasa e saj, 4 prej tyre kanë mbetur pa Abetare, po ka edhe shumë të tjerë që nuk janë pajisë edhe me librat e lëndëve të tjera.

“Mungon një numër i caktuar i abetareve, po ashtu edhe i librave: matematikës bazë, fletore pune, fletore për vlerësim. Sigurisht që ndjenja nuk është e mirë të shpërndahen librat e të mos ketë për të gjithë, e posaçërisht kur është fjala për klasat e para”, tha për RTK, Morina.

Mungesë të librave ka edhe për nxënësit e klasave të tjera.

“Më mungojnë dy libra, anglishtë edhe ekologjia. Na duhen ato libra edhe kisha dashtë me i pas sa më shpejt, edhe kishim mësu më mirë se është më mirë me libër…”, theksoi Olta Maxhuni, Nxënëse e klasës së pestë.

Mësimdhënësja e këtyre fëmijëve vlerëson që nëse vazhdohet me mungesën e teksteve shkollore, do të ketë probleme në zhvillimin normal të planprogramit mësimor dhe ngritjes së cilësisë.

“Nëse vazhdon të mbesim mbrapa atëherë ndikon edhe në sukses sepse qysh në hapat e parë, javën e parë mos me qenë librat, mbetemi mbrapa edhe me njësi mësimore…”, tha Arbenita Duraku, Mësimdhënëse e klasës së pestë

Në drejtorin e shkollës fillore “Xhemajl Mustafa”, në kryeqytet për mos-pajisjen e të gjithë nxënësve me librat shkollor falas, e akuzojnë Ministrinë e Arsimit, e cila sipas tyre nuk ka përfillur numrat e nxënësve që u janë dërguar nga shkollat.

“Kemi mungesë të teksteve shkollore për shkak që kërkesën që ne e kemi bërë si shkollë në Ministrinë e Arsimit, nuk është përfillë po janë marrë të dhënat nga sistemi i “smia” i vitit të kaluar. Këtë vit numri i nxënësve është rritë, kështu që kemi mbetë pa libra, ka çdo paralele  ka 10 tekste mungojnë në secilën lëndë…”, tha Shpresa Shala, Drejtoreshë e Sh.F. “Xhemajl Mustafa” Prishtinë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Ministrisë gjegjëse premtojnë se deri në fund të kësaj jave të gjithë nxënësit e shkollave do të pajisen me të gjitha tekstet shkollore.

“Sigurisht që të gjitha shkollat e Kosovës, do t`i kenë tekstet brenda kësaj jave siç ka thënë Ministri, Bajrami. Mund të ketë raste për të cilët ne nuk jemi në dijeni, rastet të cilat ju i theksoni por që do të sigurojmë që asnjë nxënës nuk do të jetë pa tekste…”, th për RTK Faton Fetahu, Këshilltar në Ministrinë e Arsimit.

Procesi mësimor, këtë vit shkollor ka nisur më 5 shtator. Shtyrja e mësimit ishte bërë nga Ministria e Arsimit pikërisht me arsyetimin e përgatitjes në tërësi të teksteve shkollore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat