QKSS me konferencë për parandalim të ekstremizmit në Viti

Kosova

QKSS me konferencë për parandalim të ekstremizmit në Viti

Më: 17 nëntor 2016 Në ora: 17:21
QKSS ka mbajtur konferencën me temën “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”

Qendra e Kosovës për Studime të Sigurisë, ka mbajtur sot konferencën me temën “Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm në Kosovë”, në komunën e Vitisë.

Qëllimi kryesor i kësaj konference, sipas komunikatës nga QKSS, ishte ngritja e vetëdijes së qytetarëve të Vitisë për kërcënimet e mundshme të ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit në këtë komunë.

Florian Qehaja, drejtor i QKSS-së, para pjesëmarësve ka folur për rëndësinë e përfshirjes së komunitetit në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm si dhe rolin e edukimit në këtë drejtim.

Në konferencën e mbajtur në Viti kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e institucioneve publike të nivelit lokal dhe qendror si kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, i cili e ka cilësuar si sfidë ekstremizmin e dhunshëm si dhe ka theksuar nevojën për bashkëpunim gjithëpërfshirës në nivel lokal dhe qendror në drejtim të luftimit dhe parandalimit të këtij fenomeni.

Zëvendësdrejtori i Stacionit Policor të Vitisë, Fatos Latifi anën tjetër ka folur për rëndësinë e implementimit të Strategjisë kombëtare për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm të miratuar prej Qeverisë së Kosovës duke thënë tutje se kërkohet angazhim i gjerë i komuniteteve fetare, shoqërisë civile, mediave, institucioneve lokale në drejtim të informimit të qytetarëve lidhur me kërcënimet dhe rreziqet nga ekstremizmi i dhunshëm.

Përveç përfaqësuesve të Komunës dhe Policisë në konferencën e sotme kanë marrë pjesë edhe përfaqësues nga kisha katolike, kisha ortodokse, ekipet vepruese për siguri në bashkësi, këshillat e fshatrave në komunën e Vitisë, këshillat komunale për siguri në bashkësi, drejtorët e shkollave të mesme, FSK-së, si dhe përfaqësues të institucioneve tjera por edhe të shoqërisë civile

Valdete Sahiti nga Shoqata e Grave në Viti ka thënë me këtë rast se ekstremizmi i dhunshëm më së miri luftohet në orët mësimore dhe duke filluar me hyrjen e lëndëve fetare në shkolla. Sipas saj fëmijët dhe të rinjtë duhet të informohen për fenë në mënyrë që të mos bien pre e ideologjive dhe indoktrinimit të ndryshme./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat