Departamenti i Gazetarisë mban konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”

Kosova

Departamenti i Gazetarisë mban konferencën ndërkombëtare “Prishtina Media Days”

Më: 2 maj 2017 Në ora: 16:24
Remzie Shahini-Hoxhaj, drejtoreshë e Institutit të Medias dhe profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë

Nesër do të fillojë punën Konferenca Ndërkombëtare treditore “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Organizatën SEMO.

I gjithë ky organizim është bërë në kuadër të aktiviteteve të Degës së Gazetarisë për Ditën e Lirisë së Shprehjes.

Në një intervistë për Kp, Remzie Shahini-Hoxhaj, drejtoreshë e Institutit të Medias dhe profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë, tha se kjo konferencë ka nisur si nevojë e kohës, sfidave me të cilat po ballafaqohen gazetarët jo vetëm në Kosovë por në të gjithë botën.

 Ajo bëri të ditur se tema e kësaj konference është “Raporti i gazetarisë më të vërtetën”.

Hoxhaj: Konferenca ka karakter ndërkombëtarë

“Tema e konferencës ka të bëjë me raportin e gazetarisë me të vërtetën, do të thotë është një konferencë e cila ka karakter jo vetëm regjional dhe vendor, por edhe ndërkombëtarë, për shkak se këto janë sfidat me të cilat po përballen gjithë kohën të gjitha mediat. Po ashtu, është shumë me rëndësi, një prej temave boshte të kësaj konference është çështja e raportit të mediave tradicionale dhe mediave online, do të thotë ku janë sfidat, ku janë përparësitë, ku janë mangësitë. Ju e dini që sot ne si qytetarë, si recipientë, si publik jemi në gjendje që ta krijojmë opinionin përmes rrjeteve sociale, përmes mediave online, prandaj kredibiliteti edhe e vërteta në gazetari ka ra në një fazë e cila duhet diskutuar dhe debatuar”, tha Shahini-Hoxhaj.

 Sipas saj, ka qenë e rëndësishme të përballin teorinë dhe praktiken, në mënyrë që të gjejnë përgjigje për pyetjet të cilat janë shtruar për një kohë të gjatë sa i përket të vërtetës në gazetari.

Hoxhaj: Ka qenë e rëndësishme me i përballë teorinë dhe praktiken

“Po kaq e rëndësishme ka qenë me i përballë teorinë dhe praktikën në këtë rrafsh me pa, me gjet përgjigje në pyetjet të cilat janë shtruar për një kohë të gjatë sa i përket të vërtetës në gazetari, për shembull kohëve të fundit kemi pa se një prej temave boshte në botë ka qenë rreth lajmeve të rreme. Kështu që ka lindë si nevojë e kohës, por ka qenë edhe si iniciativë e imja”, tha ajo.

 Disa teme të tjera të cilat do të trajtohen në këtë konferencë janë “Marrëdhënia në mes të gazetarit dhe audiencës së tij. A është i mundur një dialog i vërtet përmes mediave digjitale?”, “Tranzicioni i medies në Evropën Juglindore, nga “të vjetra” në “të reja”, sfidat dhe strategjitë për tejkalimin e tyre”, “Media dhe gjeneratat e reja. Nga po shkojmë, a po edukojmë qytetarë aktiv apo virtual? Nevoja për edukim medial”, e shumë tema të tjera.

 Sipas profesoreshës Hoxhaj, mbajtja e kësaj konference në Kosovë është shumë e rëndësishme jo vetëm për studentët e gazetarisë por edhe për të gjitha mediat dhe publikun.

Hoxhaj: Është shumë e rëndësishme për të gjithë

 “Vetë fakti që ka karakter global edhe kemi pjesëmarrës prej të gjitha vendeve të botës, mendoj që është shumë me rëndësishme jo vetëm për studentët e gazetarisë por edhe për bërësit e mediave, për median, për publikun, sepse ne kemi synuar që të sjellim profesor, njohës të mediave, analistë në Kosovë, do të thotë në pamundësi që ne me vnu flamurin diku ne i kemi sjellë ata këtu. Kështu që është shumë e rëndësishme”, tha ajo.

 Në këtë konferencë do të ketë pjesëmarrës nga Austria, Gjermania, Brazili, Egjipti, Shqipëria, Serbia e vendeve të tjera.

Hoxhaj: Ne do të kemi pjesëmarrës prej vendeve të ndryshme

 “Ne do të kemi pjesëmarrës prej Austrisë, Gjermanisë, Malajzisë, prej Brazilit, prej Egjiptit, kështu që do të jetë një kostilacion shumë i përzier, por edhe njerëz të cilët, ose njohës të mediave të cilët më herët nuk kanë qenë prezent në Kosovë, për shembull nga Rumania do të kemi edhe prej vendeve të rajonit si Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, vende të cilat do të jenë pjesëmarrëse në këtë konferencë”, tha ajo.

 I gjithë organizimi i kësaj konference është bërë nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Organizatën SEMO, ndërsa mbështetje tjetër nuk ka pasur.

 Drejtoresha e Institutit të Medias, Remzie Shahini-Hoxhaj, tha se përveç mbështetjes morale që kanë marrë nga Universiteti i Prishtinës pjesën tjetër janë munduar me sigurua përmes donatorëve.

Hoxhaj: Operojmë me një buxhet shumë të kufizuar?

“Ju e dini që ne operojmë me një buxhet shumë të kufizuar, kështu që përveç mbështetjes një farë forme morale që e kemi pasur nga universiteti edhe me hapësira për pjesën tjetër jemi munduar me gjet edhe donatorë”, tha ajo.

 Konferenca Ndërkombëtare treditore “Prishtina Media Days”, e cila është organizuar nga Departamenti i Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës në bashkëpunim me Universitetin e Vjenës dhe Organizatën SEMO do të zgjasë nga nesër deri me 5 maj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat