Tregu i veturave me pak blerës, tregtarët: Shteti po na plaçkit

Kosova

Tregu i veturave me pak blerës, tregtarët: Shteti po na plaçkit

Më: 2 korrik 2017 Në ora: 13:14
Tregu i automjeteve në Fushë Kosovës

Tregu i automjeteve në Fushë Kosovës të dielën ishte i mbushur me vetura të llojeve të ndryshme, ku sipas llojit dhe vitit të prodhimit u ishin vënë edhe çmimet, e të cilat arrinin në mijëra euro.

Krahasuar me numrin e madh të automjeteve të ekspozuara për shitje, tregtarët ankoheshin për mungesë të blerësve. E kjo sipas tyre është pasojë e ligjit për regjistrim të veturave, ku sipas tyre pas shitjes nuk i njihet regjistrimi.

Tregtari Istref Mazreku, i cili merret me shitjen e veturave që 25 vite, thotë se ligji i cili u ka ardhur u ka sjellë edhe probleme të shumta, kjo për shkak se qytetarët refuzojnë të blejnë vetura.

Mazreku: Kerri ka regjistrim një vit, kur ta jap ty kerri nuk ka regjistrim

“Tash një ligj që na ka ardhur, kurrë nuk ka qenë, nuk po e kuptoj unë kerri ka regjistrim një vit, ta qes ty në emër tanin e bëjmë kontratën e shitblerjes kur ta jap ty kerri nuk ka regjistrim, kjo nuk kuptohet se di çka është kjo farë. Plus kontratën e bëjmë unë e ti të kerrit, kerri kur të shkon në qendër duhet me kanë dy pronarët, se kuptoj hiç këtë farë ligji. Si kemi adresua se nuk po kemi ku, kemi bërë pak zhurmë aty tek qendra e regjistrimit po ata po thonë që Ministria e ka pru ligjin. Problem shumë i madh”, tha ai.

Sipas kësaj, ai thotë se askush nuk dëshiron të blejë vetura, pasi që deri në 400 euro kushton regjistrimi për herë të dytë.

Mazreku: Shumë problem nuk blenë kush kerre

“Shumë problem, nuk blenë kush kerre, dogana e shtrenjtë, kurrë nuk ka qenë kjo kështu. Kerri ka regjistrim një vit kur te shitsh nuk ka regjistrim. Duhet me vazhdua regjistrimin 400 euro kushton një regjistrim me vazhdua për herë të dytë”, tha ai.

Ndërsa, Faton Gashi, po ashtu tregtar, thotë se problem i tyre tash e një kohë është bërë ligji për regjistrim të veturave, ku pas shitjes nuk i njihet regjistrimi.

Gashi: Vetura ka 1 vit regjistrim e apët duhet me regjistruar

“Problemi është ky që e kanë bërë që edhe nëse ka 1 vit regjistrim vetura pronari do të thotë, unë ia shes dikujt ata prapë e shtinë me regjistrua edhe një vjet, regjistrimi hup, sigurimi sa t’i kthen një shumë shumë të vogël a këto tjerat prapë duhet me i pagua prapë 140 euro apo ku ta di unë. Kjo po paraqet problem shumë se duhet me shit veturën edhe pse ka një vit regjistrim apët duhet me shit pa regjistrim, se apët duhet me u regjistrua. Nuk donë me ble njerëzit tash me shtua apët, se vetura ka 1 vit regjistrim e apët duhet me regjistrua”, tha ai.

E për tregtarin Gashi, kjo është kryekëput plaçkitje që iu bëhet.

Gashi: Kjo është plaçkitje

“Kjo është plaçkitje, vjedhje, kush e ka qitë këtë ligj nuk pe di veç mu po ma merr mendja që kjo është plaçkitje, direkt plaçkitje është”, tha ai.

Ndërsa, edhe tregtari Hilmi Bregaj, thotë se po iu paraqet problem, pasi që nuk dëshiron të blej askush vetura.

Bregaj: Po pengon se hup me argat

“Po pengon se hup me argat, argat hup shumë, për dokumente ndoshta është më mirë por hup edhe lekë. Nuk është e mirë se ardhur kjo, nuk është e pritne kjo po u ardh tash na nuk kemi çka me i bë”, tha ai.

E përveç veturave, jashtë tregut përgjatë rrugës shiteshin edhe gjëra ushqimore, tekstil, mobile të ndryshe, e deri tek shpezë të ndryshme. Për qytetarët, problem paraqet ekspozimi i qeneve në këtë treg.

Qytetari Hajzer Jashari, i cili për të vizituar tregun kishte ardhur nga Skenderaj, tha se është ankuar disa herë pse ata qenë janë të vendosur pothuajse në hyrje të tregut.

Jashari: Jemi ankuar për qentë

“Se di sa herë jemi ankuar për qeta qentë këtu mos me i lanë sepse po na pengojnë shumë, jo që po na pengojnë për nga zhurma por janë edhe shumë të rrezikshëm saqë një shok edhe e ka kafshuar në këmbë. Shumë herë jemi ankuar tek këta pronarët e këtij pazari por asnjëherë nuk e kanë marrë këtë punë parasysh. Nëse ka ndonjë mundësi, ndonjë zgjidhje, ndonjë inspektorë apo çka po di me marrë ndonjë masë rreth kësaj pune, se këta qenë janë shumë të rrezikshëm për të gjithë këta qytetarë këtu. Edhe po na pengojnë shumë në treg me ardhë sa që ka ndodh jam ardhur dhe jam kthyer skam bërë pazar sherri i tyre. Edhe janë të rrezikshëm edhe bëjnë shumë zhurmë, me i qitë në vendin e caktuar ku e kanë vendin e jo shtazët me u afrua këtu, kanë sëmundje të ndryshme me u afrua këtu afër njerëzve”, tha ai. Ai bëri apel edhe tek inspektorët që të shkojnë dhe të bëjnë largimin e tyre

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat