Dema: Kemi larguar ndikimin politik nga UP - Bota Sot
Dema: Kemi larguar ndikimin politik nga UP

Kosova

E diel, 22 prill 2018

Dema: Kemi larguar ndikimin politik nga UP

Më: 7 janar 2018 Në ora: 11:54
Marjan Dema

Synim i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, sipas rektorit Marjan Dema, është transformimi nga universitet klasik në universitet që prodhon studentë që do ta bartin barrën e ndryshimit të Kosovës.

Rektori i UP-së, Marjan Dema në një intervistë për KosovaPress ka thënë se janë të interesuar që ndryshimi i Kosovës të ndodhë nga studentët dhe jo të presin të ndodhë nga të tjerët.

I pari i UP-së ka thënë se që nga marrja e mandatit kanë krijuar standarde, kritere, norma përmes të cilave kanë dashur që Universitetin e Prishtinës ta bëjnë të barabartë për të gjithë.

E themelimi dhe implementimi i këtyre standardeve, Dema thotë se ndihmojnë në luftimin e të keqes dhe të korrupsionit.

Dema: Kjo na ka mundësuar që ta largojmë ndikimin politik nga Universiteti

“Kjo na ka mundësuar që ta largojmë politikën, ndikimin politik nga Universiteti, avancimet dhe regjistrimet t’i kemi reale, sepse kemi zbatuar kriteret, t’i eliminojmë këtë vit nuk kemi më profesor i cili ose pranohet, ose avancohet me punime dhe revista jo kredibile, i kemi eliminuar. Pastaj, kemi bërë edhe ndryshime në të hyra, deri tash profesorët tanë janë paguar për provime, më nuk paguhen, kemi reduktuar edhe shumë pagesa të tjera me çka kemi kursyer mbi 1 milion euro, të cilat mjete do ti shfrytëzojmë për punësime të reja. Sepse problemet të cilat i kemi pas kanë qenë mungesa e stafit akademik, mungesa e stafit jo akademik, mungesa e profesionalizimit, pastaj kemi themeluar dhe kemi ri funksionalizuar shumë zyre të cilat do të na ndihmojnë siç thash me e transformua”, theksoi rektori.

Rektori bëri të ditur se përmes zyrës për hulumtime dhe projekte të sponsorizuara mendojnë të thithin dhe të gjenerojnë mjete prej fondeve të tjera, sipas tij ajo zyre do t’i ndihmojë profesorët të cilët kanë ide të aplikojnë për fonde të ndryshme.

Po ashtu, ai tha se janë shumë të interesuar që të ndërrojnë formën që Universiteti i Prishtinës varet vetëm prej buxhetit, pasi që sipas tij dëshirojnë të krijojnë buxhet me anë të hulumtimeve shkencore.

UP ka filluar trajnimet e profesorëve të ri, por që do të trajnojnë të gjithë profesorët pasi që sipas rektorit dëshirojnë t’i ikin metodës së vjetër të dhënies së mësimit frontal me një metodë që jep rezultate dhe që studenti lidhet me punën praktike.

Përveç këtyre sukseseve sipas të parit të UP-së këtë universitet e kanë përcjell edhe një numër i madh i sfidave apo probleme gjatë këtij viti.

Dema: Numri i sfidave ka qenë i madh

“Numri i sfidave ka qenë i madh, ajo që kemi vepruar ka qenë që të gjitha sfidat, të gjitha problemet i kemi kthyer në synime, i kemi kthyer në detyra, në plane strategjike që pjesën dërrmuese dhe i kemi adresuar, një pjesë janë në proces por nuk kemi ndonjë sfidë apo problem i cili nuk ka lëvizur. Mirëpo, cilat kanë qenë sfidat, fillimisht kemi shumë probleme me aktet ligjore, të cilat janë të vjetërsuara, nuk janë amandamentuar, nuk janë avancuar. Pastaj, problemi i hapësirave, kemi mungesa të hapësirave, ka tre vite që miliona euro na shkojnë deficit sepse nuk kemi leje për ndërtime të reja. Hapësira për një student është diku 1.60 metra katrorë që është nën çdo minimum, me qenë kjo lineare nuk do të ishte edhe aq keq, kur kemi fakultete që ndoshta diku 77 centimetra katror i kemi për student. Mungesa e laboratorëve, punojmë ende me laboratorë shumë të vjetër”, theksoi ai.

Një nga problemet me të cilën përballën studentët e UP-së është edhe mungesa e literaturës, në shumë drejtime studentët mësojnë vetëm me anë të disa skriptave të bëra na profesorët që ligjërojnë ato lëndë.

Për këtë mungesë të literaturës, kreu i UP-së, Marjan Dema thotë se problemin më të madh e bënë edhe mungesa e fondeve.

Dema: Literatura është problem në Universitet të Prishtinës

“Literatura është problem në Universitet të Prishtinës dhe problemin më të madh e bënë që ne edhe nuk kemi fonde. Ne si menaxhment nuk jemi shumë të interesuar që të investojmë në literaturë origjinale, për shkak se vështirë ne me potencialin që e kemi përpos disa lëmive të cilat janë historia nacionale, gjuhë dhe letërsi, por po flas më tepër për shkencat teknike, për mjekësi, për shkencat natyrore ku vërtet shkenca po shkon me hapa tepër të shpejtë. Ne jemi shumë të interesuar që fillimisht përmes ofrimit të materialeve studentëve ta zbusim këtë, jemi të interesuar që ta bëjmë ta kemi një e-library e cila na mungon. Por, mbi të gjitha jemi shumë të interesuar që të krijojmë fonde dhe t’i përkthejmë disa nga librat bazë për studime tona themelore nga gjuhët e huaja, nga gjuha angleze të cilat libra janë fjala e fundit e literaturës të cilën studentët tanë do ta shfrytëzojnë. Por, jemi shumë të int eresuar edhe kemi  literaturë edhe anglisht, studentët tanë e dinë gjuhën angleze jemi shumë të interesuar që të orientohen edhe kah gjuhët e huaja, sepse ne po e dimë, globalizimi është një proces të cilit nuk mund t’i ikim dhe natyrisht që vetëm me gjuhën shqipe nuk mund të shkojmë larg”, ka thënë ai.

Prioritet për vitet në vazhdim rektori i UP-së, Marjan Dema, thotë ta kenë krijimin e qëndrueshmërisë së gjithë asaj që e kanë bërë deri më tani.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test