Drejtori i IPK-së mohon se ndikoi që Nazim Sahiti të mos suspendohej

Kosova

Drejtori i IPK-së mohon se ndikoi që Nazim Sahiti të mos suspendohej

Më: 7 janar 2018 Në ora: 12:23
Hilmi Mehmeti

Drejtori i IPK-së, Hilmi Mehmeti, ka thënë se akuzat e Agron Mustafës janë të pabaza se po ndikon që polici Nazim Sahiti të mos suspendohet për shkak të përfshirjes në një rrahje. Ai ka thënë se ndodhet në pushim prej para vitit të ri deri më 15 janar. Ka premtuar hetime profesionale prej hetuesve.

Hilmi Mehmeti, Kryeshef i Inspektoratit Policor të Kosovës, ka mohuar se po ndikon në hetimet që po zhvillohen ndaj Drejtorit të Krimeve Ekonomike, Nazim Sahiti, i cili ishte përfshirë incident me Agron Mustafën.

Mehmeti ka thënë se ndodhet në pushim prej para vitit të ri dhe se do të kthehet në punë më 15 janar.

“I njoh të dytë. Për shkak të punëve më ka rënë më shumë të rri me Agron Mustafën se sa me Nazim Sahitin. Të dy i njoh. Me asnjërin s’kam ndonjë shoqëri. Por, mund t’ju garantoj se hetimet e IPK do të jenë krejtësisht profesionale”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se as nuk është interesuar për këtë rast dhe as për rastet tjera për shkak se është kompetencë ekskluzive e hetuesve të veprojnë bazuar në autorizimet ligjore që kanë gjatë hetimeve të rasteve.

Drejtori i Valës, Agron Mustafa ka lëshuar akuza ndaj Mehmetit duke thënë se i njëjti po ndikon që Nazim Sahtiti të mos suspendohet. Ka thënë se Nazim Sahiti dhe Drejtori i IPK’së, Hilmi Mehmeti, kanë afërsi dhe po tentojnë t’i zhdukin provat.

“Nuk shoh as edhe një arsye tjetër, përveç ndikimit të drejtpërdrejt të shefit të IPK-së në tentim devijimin e hetimeve dhe fshehjes së dëshmive, me të vetmin qëllim për të amnistuar njërin nga sulmuesit ndaj meje”,thuhet në letrën e Mustafës drejtuar Ministrit të Brendshëm, Flamur Sejaj.

Ministri i Brendshëm ende s’ka dhënë asnjë qëndrim lidhur me këtë rast.

Ndërkohë, Hilmi Mehmeti ka thënë se nuk qëndrojnë asnjë pohim i Mustafës se po ndikon në rast. Ka thënë se çdo veprim i hetuesve të IPK’së do të jenë të bazuara në ligj.

“Hetuesit bëjnë punën e tyre profesionale. Jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste më të mëdha, kanë vepruar konform ligjit”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se nuk do të ketë standarde të dyfishta për asnjë zyrtar që përfshihet në vepra penale.

Agron Mustafa, Drejtor i Valës, javën e fundit të vitit 2017, u përlesh fizikisht me dy policë të Kosovës. Avni Berisha, nga njësi antidrog,u suspendua një ditë pas përleshjes. Ndërkohë, Nazim Sahiti, po vazhdon të mbetet Drejtor i Antikrimit. Ndaj tij nuk është marrë asnjë masë. Prokuroria e rastit në autorizimin e lëshuar për hetime ka përfshirë dy policët, Avni Berishën dhe Nazim Sahiti, si të dyshuar për rrahjen e Mustafës. Doli edhe një video në të cilën Berisha shihet teksa grushton Mustafën dhe asistohet nga Nazim Sahiti.

Në ditën e rrahjes, Nazim Sahiti, kishte deklaruar për Express se s’ka pasur fare përleshje. Ka thënë se vetëm ka qenë një keqkuptim lidhur me një akuzë të Mustafës bërë Agron Berishës për një fotografim të paautorizuar.

Ndërkohë, Avni Berisha, kishte deklaruar se Mustafa ishte i pari që ka sulmuar derisa kishte tentuar edhe ta arrestonte.

Edhe Nazim Sahiti, edhe Avni Berisha, por edhe Agron Mustafa kanë prejardhje prej të njëjtit rajon, Llapit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat