Minxhozi falënderon FSK-në për ndihmën dhënë Shqipërisë pas vërshimeve

Kosova

Minxhozi falënderon FSK-në për ndihmën dhënë Shqipërisë pas vërshimeve

Më: 12 janar 2018 Në ora: 13:02
Rrustem Berisha dhe Qemal Minxhozi

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, priti sot në takim zyrtar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, Qemal Minxhozi, njofton MFSK.

Ministri Berisha, me këtë rast, e njoftoi ambasadorin Minxhozi, me të arriturat e përgjithshme të MFSK-së dhe FSK-së, si dhe e falënderoi për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm  në mes Ministrisë së Forcës së Sigurisë të Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë. Gjithashtu ministri Berisha foli edhe për procesin e transformimit të FSK-së në Forcat e Armatosura të Kosovës.

Berisha me ambasadorin Minxhozi bisedoi edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë në fushën e shkollimit dhe të trajnimeve për pjesëtarët e FSK-së në Republikën e Shqipërisë dhe pjesëtarëve të Forcave të Armatosura të Shqipërisë në Kosovë, duke u ndërlidhur me Qendrën e trajnimit të Kërkim-Shpëtimit në Pomozotin dhe Qendrën Universitare të FSK-së, ku studiojnë edhe kadetë nga Shqipëria, si dhe biseduan edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të përbashkët.

Minxhozi, me këtë rast falënderoi ministrin Berisha, komandantin e FSK-së dhe FSK-në, për intervenimin e shpejtë në Republikën e Shqipërisë, pas vërshimeve  duke iu dalë në ndihmë qytetarëve të Shqipërisë. Ai theksoi se ky bashkëpunim është në interes jo vetëm të dyja shteteve, por edhe në interes të paqes dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat