Murati: Nuk është koha për ta zhbërë, por për t’i dalë ballë Speciales

Kosova

Murati: Nuk është koha për ta zhbërë, por për t’i dalë ballë Speciales

Më: 13 janar 2018 Në ora: 00:12
Valon Murati

Për të parin e Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale, mbrëmjen e 22 dhjetorit ishte një befasi e pakëndshme, e cila lë përshtypjen e një “shteti palaço”.

“Diçka që ishte bërë me shumë presion të madh, mbase prej atyre që e filluan këtë iniciativë. Është e dhimbshme, sepse na paraqet si shtet joserioz karshi obligimeve ndërkombëtare”, ka thënë Murati, në “Interaktiv.

Murati ka thënë se Specialja nuk është ndalur kur është dashtë të ndalet.
“Tash duhet t’i dalim ballë, duhet të përballemi edhe me pasojat që sjell ajo. Fatet individuale e të partive mund të tejkalohen, por pasojat do të mbesin te njolla që do t’i bëhet përpjekjeve tona për liri, për të cilën duhet të punojmë që ta heqim. Ne e dimë që lufta jonë ka qenë e pastër”, ka thënë ish-ushtari i UÇK-së.

Murati ka thënë se partia të cilën ai i prinë, Lëvizja për Bashkim, “gjithmonë ka qenë kundër Gjykatës Speciale”.

“Sepse nuk është vetëm njollë, por ishte e padrejtë ndaj luftës tonë të drejtë çlirimtare. Por tash kemi marrë obligime ndërkombëtare. E zhbërja e saj të kthen në një shtet joserioz, mos të them palaço”, ka thënë Murati.

Për natën e 22 dhjetorit të vitit të kaluar, kur 43 deputetë kishin bërë kërkesë për seancë të jashtëzakonshme në të cilën synohej të rrëzohej Specialja, Murati ka pasur edhe një koment.

“Krejt ajo u bë pa një debat paraprakë, që të thuhej nëse kanë ndrruar rrethanat, se me ato rrethana të reja duhet të shkojmë në një tjetër drejtim, Por njësoj ashtu siç u bë pa debat, ashtu pa debat edhe u bë përpjekje që të zhbëhet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat