Kurti premton ndëshkim të seksizmit

Kosova

Kurti premton ndëshkim të seksizmit

Më: 14 janar 2018 Në ora: 18:15
Albin Kurti

Gjatë takimit me aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë, kandidati i vetëm për kryetar të këtij subjekti, Albin Kurti, ka paraqitur platformën e tij.

Përmes një postimi në profilin e tij në “Facebook”, Kurti ka treguar se në takim një prej temave të diskutimit ka qenë edhe barazia gjinore.

Lidhur me këtë, ai ka thënë se një prej problemeve më shqetësuese të shoqërisë kosovare është diskriminimi gjinor.

Ndonëse ka potencuar se kjo çështje ekziston edhe në vendet më të zhvilluara, Kurti ka theksuar se nuk mund të rrimë pasivë, si Lëvizje, ndaj fyerjes dhe abuzimit që nënkuptohet prej pabarazisë.

“Kosova nuk do të fitojë me Lëvizjen nëse Lëvizja nuk është e grave po aq sa e burrave, sepse edhe Kosova duhet të jetë e grave po aq sa e burrave”, ka theksuar ai.

Për ta luftuar këtë dukuri ai ka thënë se duhet funksionalizimi i komisionit disiplinor, ose themelimi i një komisioni për çështje gjinore, i cili specializohet në shqyrtimin e çështjeve të kësaj natyre, dhe në disiplinimin e tyre.

“Seksizmi në momentin që bëhet cenim i integritetit fizik e moral të dikujt, duhet ndëshkuar pa u falur”, ka shtuar ai.

Ai ka paraparë edhe takime vetëdijësuese përmes Sekretariatit të Gruas Aktiviste, trajnime e kurse për gjuhë të huaja, të folurit në publik, duke shpërndarë materiale të përkthyera, e duke nxitur shkrimin dhe diskutimin e temave që lidhen me çështjet gjinore brenda e jashtë organizatës.

”Kod i Sjelljes për të gjithë anëtarët, me theks të veçantë për djemtë dhe burrat, mbi komunikimin dhe shprehjet e papranueshme. Gratë dhe vajzat duhet të kenë ambient pune e diskutimi të sigurt e pa siklet”, ishte hapi tjetër i propozuar nga Albin Kurti.

Ai, po ashtu, ka thënë se do të synohet të mbërrihet sa më parë barazia gjinore në punësim, në administratën e Lëvizjes.

“Në mandatin e ardhshëm Lëvizja duhet ta rishikojnë statutin edhe nga këndvështrimi feminist dhe të kthehet në model për respektimin e barazisë gjinore”, ka shtuar Kurti.

Albin Kurti dje prezantoi platformën e tij para përkrahësve e bashkëpartiakëve në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat