Foshnjat në Kosovë pa përkujdesje

Kosova

Foshnjat në Kosovë pa përkujdesje

Më: 14 janar 2018 Në ora: 21:49
SOS Fshati i fëmijëve

SOS Fshati i fëmijëve, mes projekteve të shumta, ka dhe programin që siguron kujdes alternativ për foshnjat pa përkujdesje prindërore.

Me rekomandim të organizatave botërore për mbrojtje të fëmijëve, të vegjlit pa përkujdesje prindërore, duhet të mos qëndrojnë në institucione, por të strehohen në familjet strehuese. Aktualisht në Kosovë janë 43 familje të certifikuara për strehim familjar.

Fëmijët, pa përkujdesje prindërore, të braktisur menjëherë pas lindjes ose të lënë pas dore nga prindërit e tyre janë vendosur në fshatin SOS, me vendim të Qendrave për Punë Sociale.

Bazuar në udhëzimet e KB për zhvillimin e shërbimeve alternative për fëmijët pa përkujdesje prindërore, dhe parandalimin e institucionalizimit të fëmijëve prej zero deri në 3 vjeç, SOS Fshati i Fëmijëve në Kosovë, ka vendosur që gradualisht këta fëmijë të largohen nga kjo qendër rezidenciale dhe të vendosen në familje strehuese deri në një zgjidhje përfundimtare si ribashkim me familjen biologjike apo birësim.

Burim Behluli nga kjo organizatë thotë se SOS-i, në bashkëpunim me partnerët, po punojnë që të ardhmen kjo organizatë të hyjë në strehim familjar profesional. Ai theksoi se stafi që aktualisht punojnë në programin 0-3 vjeç nuk do të largohet nga puna.

E ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, thekson se ministria insiston që fëmijët pa përkujdesje të strehohen në familjet strehuese.

Strehimi familjar u ofrohet fëmijëve, qëndrimi i të cilëve në familjen biologjike është i pamundur. Këta fëmijë vendosen përkohësisht në familjet strehuese.

Por cilat janë kushtet që duhet t`i plotësojë një familje që të jetë strehuese?

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2009 ka hartuar udhëzimet për kujdesin alternativ të fëmijëve pa përkujdesje prindërore, qëllimi i të cilit është që të parandalohet institucionalizimi i fëmijëve e sidomos atyre nga 0 deri në 3 vjeç.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat