Grupi i OJQ-ve reagon ndaj heshtjes së kryeprokurorit Lumezi

Kosova

Grupi i OJQ-ve reagon ndaj heshtjes së kryeprokurorit Lumezi

Më: 15 janar 2018 Në ora: 14:43
Aleksandër Lumezi

Një grup i OJQ-ve kërkojnë nga kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, që në përputhje me mandatin e tij, të nisë ex-officio procedurat hetimore ndaj kryeministrit, vartësve të tij apo cilido vartës i politikës që mund të keqpërdorë pozitën e tyre me vendime që krijojnë standardin e shkeljeve ligjore të hapura.

“Në këtë kohë kur shkeljet po shihen të incizuara dhe shkelësit të lirë, institucioni i kryeprokurorit të Shtetit po dëmtohet skajshmërisht. I bëjmë thirrje këtyre dy institucioneve nën udhëheqjen e tanishme të dëshmojnë pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre politike, profesionalizmin, pandikueshmërinë politike”, thuhet në deklaratë.     

Gjatë dhjetorit, grupi i organizatave të shoqërisë civile iu drejtua me një letër Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Kryeprokurorit të Shtetit, duke shprehur shqetësimet në lidhje me deklarimet publike të Lumezi drejtuar mediave pas raportimeve lidhur me takimin e tij me zyrtarë të lartë të PDK-së.

“Megjithëse kanë kaluar gati 4 javë nga kërkesa e drejtuar, nuk morëm as edhe një përgjigje ndaj saj, as në letër as në veprime. Derisa, në  të  njëjtën kohë kanë vazhduar veprime të kundërligjshme në Kosovë edhe më tutje nuk po tregohen rezultate efektive të  Kryeprokurorisë në zgjidhjen e rasteve të përmendura në kërkesën tonë të mëparshme, por edhe në heshtjen që vazhdon ta ketë para publikut ky institucion aq i rëndësishëm në krijimin e Kosovës si shtet funksional. Deri me tani janë disa raste konkrete në të cilat Kryeprokurori i Shtetit vazhdon të  mos reagon, duke zgjedhur edhe heshtjen dhe duke e lënë hapësira të mëdha për dyshime për paanshmërinë e tij politike”, thuhet më teje në komunikatë. 

“Heshtja e tij në të kundërtën mund të  interpretohet si e dëmshme për shoqërinë e Kosovës, duke ndikuar në krijimin e një shteti jo-funksional dhe jo të  bazuar në parimet e sundimit të  ligjit. Kjo e bën më tutje absurde mbajtjen e pozitës udhëheqëse kur në vend të veprimit, Kryeprokurori Aleksandër Lumezi po vazhdon të zgjedhë heshtjen”, thuhet në komunikatën e organizatave Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, Iniciativa për Progres – INPO, Instituti KIPRED, Instituti GAP, Instituti Columbus, Instituti INDEP, Ec ma ndryshe, Clard dhe Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat