10 mësimdhënëset nuk përfshihen në listën e pagave as më 2018

Kosova

10 mësimdhënëset nuk përfshihen në listën e pagave as më 2018

Më: 15 janar 2018 Në ora: 20:26
Shkolla "Mihal Grameno" në Fushë-Kosovë, një prej shkollave ku mësimi zhvillohet në tri ndërrime

Dhjetë mësimdhënëse të Fushë-Kosovës nuk janë përfshirë në listat e pagave as për vitin 2018.

Në shtator të vitit të kaluar këto mësimdhënëse kanë filluar punën pasi kanë nënshkruar kontrata me Komunën e Fushë Kosovës dhe që nga ai muaj kanë punuar pa pagesë.

Për Kallxo mësimdhënëset thonë se nëse vazhdohet me mospagesë do të hyjnë në grevë.

Nënkryetari i Komunës së Fushë-Kosovës, Fadil Krasniqi, tha për Kallxo se Komuna kishte marrë vendim që të hapej konkursi për këto 10 pozita, shkaku i rritjes së madhe të numrit të nxënësve.

Sipas tij, vetëm në qershor – shtator janë shtuar 572 nxënës, që i bie se në një klasë janë të vendosur 37 deri në 42 nxënës, që është jashtë standardit të normales.

Sipas tij, kjo i ka detyruar që të marrin 10 mësimdhënës edhe pse sipas tij Fushë-Kosova ka nevojë për 20 mësimdhënës.

“Ne në vitin e kaluar si Kuvend Komunal kemi marrë vendim që t’i marrim 10 arsimtarë në komunën e Fushë-Kosovës edhe pse s’i plotësojnë nevojat se duhet 20 mësimdhënës”, ka shtuar ai.

Mirëpo, një gjë e tillë ende nuk është mbështetur nga Ministria e Arsimit.

“Edhe pse ne kemi bërë çdo herë përpjekje edhe kemi bërë kërkesë në Ministrinë e Arsimit për rritjen e numrit të arsimtarëve, se numri i arsimtarëve lidhet me rritjen e numrit të nxënësve, asnjëherë nuk kemi hasur në përkrahje të Ministrisë së Arsimit, që është përgjegjëse kryesore që duhet ta përcjellin në Ministrinë e Financave dhe ata ta parashohin në kornizën buxhetore që duhet të paguhen ata arsimtarë”, ka thënë Krasniqi.

Sipas Krasniqit, pasi që janë përzgjedhur 10 mësimdhënës, me secilin veç e veç drejtori i Arsimit i Komunës së Fushë-Kosovës, ka biseduar për problemin e pagesave. Sipas tij secili është informuar se nuk dihet se kur do të hyjnë në listë të pagave.

“Me secilin arsimtar të përzgjedhur drejtori i Arsimit ka bisedu se është problem pagesa për ju deri sa ta gjejmë një zgjidhje. Nuk ka qenë e nevojshme të ankohen ata sepse ekziston një marrëveshje gojore mes drejtorit të Arsimit dhe atyre arsimtarëve se do të ketë problem me pagesa sepse nuk do të mund t’i shtinë në listë të pagave”, tha Krasniqi.

Durije Zeneli-Hyseni, mësimdhënëse e cila nuk figuron në listën e pagave, ka thënë për Kallxo se ende janë duke u përballur me mungesë të pagesave edhe pse ato në punë dalin sipas orarit dhe nuk mungojnë asnjëherë.

Ajo ka kërkuar që të dihet se kur do të figurojnë në listë të pagave e jo të presin pa përgjigje.

“Na është premtu që kemi me marrë paga. Na kanë thënë  se deri në fund të dhjetorit kemi me bo diçka por nuk kanë bërë asgjë. Kemi bisedu me drejtorin e Arsimit. Jemi 10 mësimdhënëse, 7 në “Mihal Grameno”, 1 në “Daut Bogujevci” dhe dy tjera anonim. Ku është problemi ne nuk pe dimë”, tha ajo.

Sipas saj, pas bisedimeve me Komunën e Fushë-Kosovës, iu është premtuar kompensimi i këtyre muajve për të cilët nuk janë paguar, por ajo ka kërkesë që të hyjnë në listë të pagave.

“Na thanë që keni me marrë diçka po kjo nuk është punë lëmoshe. E kanë obligim me na dhanë”, tha Zeneli-Hyseni, duke shtuar se Komuna e Fushë-Kosovës iu ka bërë me dije se Ministria e Arsimit nuk e ka aprovuar buxhetin.

Ajo tha se nëse nuk u bëhet pagesa do të dalin në grevë.

“Kemi mendu me dalë në grevë deri në aprovimin e pagave. Me na shti në listë të pagave”, u shpreh ajo.

Në anën tjetër, Komuna e Fushë-Kosovës u zotua se do të gjejnë një formë për kompensim, më së largu deri në shkurt ose mars të këtij viti.

“Për 2018 do të këqyrim me gjetë ndonjë formë të kompensimit. Ata arsimtarë nuk do të  mbesin pa paga por ne do të bëjmë përpjekje ta gjejmë një rrugë të drejtë ligjore që t’i paguajmë ata arsimtarë”, tha Krasniqi.

Duke shtuar se as në vitin 2018 nuk janë planifikuar për listë të pagave, ai tha se nuk mund t’i ndalojnë për të hyrë në grevë, por sipas tij marrëveshjes gojore duhet t’i përmbahen edhe mësimdhënëset edhe Komuna.

Por me 4 shtator kur edhe ka filluar viti i ri shkollor, Kallxo ka shkruar lidhur me numrin e madh të nxënësve që janë shtuar në Fushë-Kosovë.Gjithashtu, është shkruar edhe lidhur me mospagesën e 10 mësimdhënëseve me shpresën që do të mund të paguhen nga Komuna e Fushë-Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat