Emocionet në Seancën për Tenderin 100 Milionësh

Kosova

Emocionet në Seancën për Tenderin 100 Milionësh

Më: 18 janar 2018 Në ora: 23:23
Organin Shqyrtues të Prokurimit

Salla që ishte rezervuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për mbajtjen e seancës për shqyrtimin e ankesave të 11 operatorëve për tenderin e autostradës së Gjilanit ishte e vogël për t’i zënë të gjithë përfaqësuesit e bizneseve.

Disa prej më shumë se 20 persona prezentë në këtë seancë kishin nxënë ulëset që ishin brenda sallës kurse gjysma tjetër ishin në këmbë, me sy e veshë te dera e hapur e sallës.

Gjysma e tyre kishte mbetur jashtë sallës. Mbajtja e derës së sallës hapur ishte kompromisi që kishin bërë për të dëgjuar se çka po flitet brenda. Seanca që nisi me 5 minuta vonesë mund të jetë vendimtare për kontrata gjigante për kompanitë vendore.

Kryetari i panelit shqyrtues, Blerim Dina filloi të lexonte shkurtimisht se çfarë kishte ndodhur me këtë aktivitet të prokurimit që nga fillimi.

Mbi 10 përfaqësuesit e operatorëve ekonomikë ankues që ishin jashtë në korridorin e vogël pranë sallës me dosje në dorë me dokumente, po ankoheshin se arrinin të dëgjonin se çfarë ishte duke lexuar kryetari i panelit shqyrtues.

11 operatorë ekonomikë janë ankuar në OSHP për tenderi prej 100 milionë euro për Autostradën për Gjilan. Ky është tenderi më i madh infrastrukturorë që pritet të ndërtohet nga kompanitë vendore. Të gjithë operatorët ekonomik që janë ankuar pretendojnë se Ministria e Infrastrukturës ka bërë shkelje ligjore gjatë rivlerësimit të ofertave. Pretendimet e këtyre kompanive mund të ndahen në dy kategori: ato pretendojnë se padrejtësisht janë eliminuar nga gara, si dhe operatorët ekonomikë të rekomanduar për kontratë nuk janë të përgjegjshëm.

Leximi i gjithë procedurave që janë ndjekur deri tek mbajtja e seancës nga ana e kryetarit Dina ka zgjatur gati 20 minuta. Gjatë kësaj kohe njëra nga rojet rrinte te dera nga hyjnë në seancë zakonisht paneli shqyrtues dhe një tjetër rrinte pranë derës ku përfaqësuesit e operatorëve ekonomik ankues ishin gjithë sy e veshë.

Pasi përfundoi leximin e tij Dina i njoftoi përfaqësuesit e operatorëve ekonomik ankues se do t’i thërras me radhë për të marrë fjalën. E përfaqësuesit që ishin jashtë e njoftonin kryetarin e panelit shqyrtues se disa prej tyre ishin jashtë me frikën se do tu kalonte radha e ata nuk do ta dëgjonin emrin e kompanisë të cilën ata e përfaqësonin.

Përfaqësuesi i kompanisë  ‘RSM Company sh.p.k. & Company sh.p.k.’ ishte i pari që e mori fjalën për të folur për pikat e ankesës së tyre. Pasi e përfundoi fjalën e tij, ai doli jashtë për t’ia lëshuar ulësen përfaqësuesit të operatorit tjetër ankues.

Nga të gjithë 11 operatorët ekonomik ankues vetëm përfaqësuesi i operatorit ekonomik “Integral SHPK & Milenium Construction sh.p.k. & Delia Group sh.p.k” mungoi në seancë.

Përderisa përfaqësuesit e operatorëve ekonomik po paraqitnin ankesat e tyre njëra pas tjetrës, në korridorin e vogël përfaqësues të tjerë po bisedonim me njeri-tjetrin për punën e tenderit dhe diskriminimin që po ju bëhej pasi nuk po mund të ishin të gjithë brenda për me dëgju fjalën e përfaqësuesve të operatorëve të tjerë ankues.

Pas një gati një ore që kishte filluar seanca, në ora 15:00 erdhën edhe shishet me ujë për panelin shqyrtues dhe për përfaqësuesit e operatorëve ankues që ishin në korridor.

Njeri nga rojet që ishte pranë derës nga e cila paneli shqyrtues hyn në sallë bëri thirrje që kur të pihet uji, shishet e zbrazëta t’i dorëzohen atij.

Të gjithë përfaqësuesit e operatorëve ekonomik ankues deklaruan se pajtohen me vlerësimin e ekspertit shqyrtues përveç përfaqësuesit të operatorit ekonomik ‘Gjoka Construction’.

Eksperti shqyrtues, Hasim Krasniqi gjatë fjalës së tij në seancën shqyrtuese tha se qëndron pranë raportit të tij të ekspertizës.

“Konsideroj dhe rekomandoj që lënda të kthehet në rivlerësim dhe AK të ketë parasysh kërkesat e parashtruara në njoftim dhe dosje të tenderit me rastin e trajtimit të ofertave, t’i trajtoj barabartë OE-të në aspektin e projekteve të realizuara, t’i informoj OE-të me letra standarde konform loteve sipas gjendjes së tyre, duke mos përjashtuar as aspektin për çmime jo normalisht të ulëta”, ka thënë Krasniqi.

Betim Reçica, përfaqësues i AK-Ministria e Infrastrukturës në seancën e shqyrtimin mori me radhë një nga një ankesat e operatorëve ekonomik duke filluar nga ajo e ‘RSM Company’.  Ai e ka kundërshtuar raportin e ekspertit shqyrtues në të cilën konstatohen shkeljet ligjore të bëra nga Ministria e Infrastrukturës.

“OE RSM ka dështuar të ofroj listë të kontratave sipas pikës së FDT ku theksohet decidivisht që “OE duhet të ofroj jo më pak se 10 milion euro në lëmin e kërkuar në periudhën e shkuar 5 vjeçare, i njëjti ka dështuar të ofroj prova se plotëson kërkesat në dy projekte të realizuara në lëmin e ndërtimit të rrugëve nacionale dhe regjionale në vlerë jo më pak se 5 milion euro”, ka theksuar Reçica.

Sa i përket ankesës së OE  “Gp & Papenburg & Adriani” tha se lëshimet kanë ndodhur pikërisht nga mos veprimet e tyre pasi janë njoftuar me kohë për dorëzimin e ankesës me legjislacion sekondar brenda periudhës së paraparë.

“Por i njëjti nuk ka përfillur afatin dhe ka dorëzuar kërkesën me katër apo pesë ditë vonesë, dhe si e tillë duhet shpallur e jashtafatshme nga paneli shqyrtues”, ka potencuar Betim Reçica.

Për pretendimet e OE “Integral SHPK & Milenium Construction sh.p.k. & Delia Group sh.p.k”  edhe pse përfaqësuesit e tyre nuk ishin prezent në seancë Reçica tha se ky OE ka dështuar në ofrimin e listave të kontratave ku dëshmon se ka realizuar 10 milion euro në lëmin e kërkuar në periudhë 5 vjeçare (2012-2016).

Sa i përket pretendimeve ankimore të OE “Bejta Commerce” për çmimin jo normalisht të ulët, Reçica u shpreh se u pa që brenda e atij pretendimi filloi të dalë e kundërta.

“Mirëpo u fsheh një fakt vendimtar për panelin se të tregohet me vlerë dhe referencë sa është loti 6 i tij dhe rasti i OE fitues për lot.6 pas rivlerësimit ku ka dallim mbi 6 milion euro. Dallimi është me 18 milion dhe 11 milion euro diferencë që i bie 7 milion euro. Rrjedhimisht edhe në lotet tjera është më i shtrenjti”, ka theksuar Reçica.

Të gjithë përfaqësuesit e operatorëve ekonomik ankues kanë kërkuar nga paneli shqyrtues që ky aktivitete i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

Seanca shqyrtuese për tenderit të autostradë së Gjilanit u përmbyll në orën 16:08 me secilin nga përfaqësuesit e operatorëve ekonomik ankues të cilët nënshkruan procesverbalin e seancës. Në ditët në vazhdim pritet edhe vendimi i panelit shqyrtues në lidhje me ankesat e 11 operatorëve ekonomik.

Kjo është hera e dytë që Gjykata e Tenderëve do të vendos për këtë tender, pasi herën e parë kishte gjetur shkelje ligjore dhe e kishte kthy në rivlerësim këtë proces të prokurimit.

Përmbajtjen e ankesave të operatorëve ekonomik dhe vlerësimet e zgjeruara të ekspertit shqyrtues janë pasqyruar në shkrimin e publikuar në.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat