Dështon zgjedhja e kryesuesit në Rahovec

Kosova

Dështon zgjedhja e kryesuesit në Rahovec

Më: 19 janar 2018 Në ora: 14:35
Kuvendi Komunal i Rahovecit

Kuvendi Komunal i Rahovecit në mbledhjen e mbajtur sot, nuk ka zgjedhur kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, për shkak të mungesës së kuorumit në raundin e dytë të votimit.

Në garë për pozitën e kryesuesit të Kuvendit ishin Sali Sallteku nga PDK, Afrim Dina nga AAK  dhe Fehmi Cena nga LDK.

Sipas një komunikate të komunës, pas votimit të fshehët në raundin e parë, nga 10 vota kanë marrë Sali Sallteku PDK dhe Afrim Dina AAK, kurse Fehmi Cena i LDK-së mori 7 vota. Edhe pse ishin të pranishëm në mbledhje, kuvendarët nga LV nuk kanë marrë pjesë në votim.

“Kur pritej votimi për raundin e dytë, ku në garë ishin dy kandidatët të cilët morën me shumë vota në raundin e parë, Sali Sallteku dhe Afrim Dina, në sallë nuk ishin të pranishëm kuvendarët e PDK-së dhe LDK-së. Në mungesë të kuorumit, kryesuesi i mbledhjes Rexhep Oruqi, konfirmoi mbylljen e mbledhjes.  Sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe udhëzimit administrativ Nr 2009/01 për procedurën e zgjedhjes dhe përgjegjësitë e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës bëhet më së largu 30 ditë pas konstituimit të Kuvendit”, thuhet në komunikatë.

Konstituimi i Kuvendit të Komunës së Rahovecit, është bërë me datë 22 dhjetor 2017.

Kuvendi i Komunës së Rahovecit, ka 31 anëtarë dhe përbëhet nga tetë subjekte politike. PDK ka 9 anëtarë, AAK 7 anëtarë, LDK 7 anëtarë, LV 4 anëtarë, AKR 1 anëtarë, Nisma 1 anëtar, Iniciativa Qytetare për Drejtësi dhe Unitet 1 anëtar dhe Lista Serbe 1 anëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat