Kuvendi Komunal i Rahovecit mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Kosova

Kuvendi Komunal i Rahovecit mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme

Më: 19 janar 2018 Në ora: 20:11
Kuvendi i Komunës së Rahovecit

Nesër bëhen 30 ditë prej se është konstituuar Kuvendi i Komunës së Rahovecit. Por, që nga 22 dhjetori ky Kuvend nuk ka arritur të zgjedh kryesuesin. Në mbledhjen e mbajtur sot, kryesuesi nuk u zgjedh për shkak të mungesës së kuorumit në raundin e dytë të votimit. Kjo, mund ta dërgojë në zgjedhje të parakohshme Kuvendin e kësaj komune.

Kuvendi Komunal i Rahovecit në mbledhjen e mbajtur sot, nuk ka zgjedhur Kryesuesin e Kuvendit të Komunës së Rahovecit, për shkak të mungesës së kuorumit në raundin e dytë të votimit.

Kjo mund ta dërgojë në zgjedhje të parakohshme Kuvendin e kësaj komune, pasi nesër bëhen 30 ditë që nga konstituimi i tij.

Sipas ligjit për vetëqeverisjen lokale dhe udhëzimit administrativ Nr 2009/01 për procedurën e zgjedhjes dhe përgjegjësitë e kryesuesit të Kuvendit të Komunës, zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit të Komunës bëhet më së largu 30 ditë pas konstituimit të Kuvendit.

Konstituimi i Kuvendit të Komunës së Rahovecit, është bërë me datë 22 dhjetor 2017.

Ndërsa, mbledhja e ardhshme e Kuvendit Komunal të Rahovecit u thirr për të hënën, 22 janar, ndonëse nesër (20 janar) bëhen 30 ditë nga betimi i asambleistëve.

Ky vendim u mor nga asamblisti më i vjetër i këtij Kuvendi, i cili po udhëhiqte mbledhjen e sotme.

Në mbledhjen e sotme të Kuvendit Komunal, në garë për pozitën e kryesuesit të Kuvendit ishin Sali Sallteku nga PDK, Afrim Dina nga AAK dhe Fehmi Cena nga LDK. Pas votimit të fshehët në raundin e parë, nga 10 vota kanë marrë Sali Sallteku PDK dhe Afrim Dina AAK, kurse Fehmi Cena i LDK-së mori 7 vota. Edhe pse ishin të pranishëm në mbledhje, kuvendarët nga LV nuk kanë marrë pjesë në votim.

Kur pritej votimi për raundin e dytë, ku në garë ishin dy kandidatët të cilët morën me shumë vota në raundin e parë, Sali Sallteku dhe Afrim Dina, në sallë nuk ishin të pranishëm kuvendarët e PDK-së dhe LDK-së. Në mungesë të kuorumit, kryesuesi i mbledhjes Rexhep Oruqi, konfirmoi mbylljen e mbledhjes.

Kuvendi i Komunës së Rahovecit, ka 31 anëtarë dhe përbëhet nga tetë subjekte politike. PDK ka 9 anëtarë, AAK 7 anëtarë, LDK 7 anëtarë, LV 4 anëtarë, AKR 1 anëtarë, Nisma 1 anëtar, Iniciativa Qytetare për Drejtësi dhe Unitet 1 anëtar dhe Lista Serbe 1 anëtar.

Kësisoj duke u përmbushur 30 ditëshi, Kuvendi Komunal i Rahovecit do të bëhej i pari Kuvend komune që do të shkonte në zgjedhje të parakohshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat