Rrugët në Malishevë, me vështirësi të kalueshme

Kosova

Rrugët në Malishevë, me vështirësi të kalueshme

Më: 20 janar 2018 Në ora: 16:35
Rrugët në Malishevë

Reshjet e pandërprera të borës, që kanë filluar në mëngjes dhe kanë vazhduar gjatë gjithë ditës së sotme, kanë sjellë vështirësi në qarkullim, pothuajse në të gjitha rrugët në territorin e Komunës së Malishevës. Gjendja më e vështirë është në vendbanimet malore, edhe pse kompania kontraktuese, është duke bërë pastrimin e borës në rrugët e këtyre fshatrave.

Sipas drejtorit të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Milazim Morina, rrugët janë të kalueshme, por ka vështirësi, pasi bora po bie vazhdimisht dhe rrugët po mbulohen me borë. Morina, i cili gjatë ditës së sotme, ka qëndruar edhe në fshatrat e thella malore, si në Berishë dhe Fshat të Ri, tha se “kompania kontraktuese është duke pastruar rrugët, por ato shumë shpejt mbulohen nga bora”.

Drejtori Morina, gjithashtu ka theksuar, se edhe rrugët rajonale, që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, gjithashtu janë vështirë të kalueshme, pasi deri pas orës 16:00, nuk është intervenuar në pastrimin e rrugëve.

Përndryshe, bora ka mbuluar të gjitha rrugët dhe rrjedhimisht edhe qarkullimi është i vështirësuar, por rrugët janë të hapura.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat