Si do të duket Vetëvendosje e re e Albin Kurtit

Kosova

Si do të duket Vetëvendosje e re e Albin Kurtit

Më: 22 janar 2018 Në ora: 06:26
Lëvizja Vetëvendosje

Mos përfitimi material nga aktivizmi dhe pjesëmarrja e aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje edhe në emisione argëtuese, përveç atyre politike, janë dy idetë e prezantuara në platformën e Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Por, si e ka paramenduar plotësisht Albin Kurti funksionimin e Lëvizjes Vetëvendosje në tri vitet e ardhshme?

Pas zgjedhjes së Albin Kurtit kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje më 21 janar, tashmë është e qartë se si do duket Vetëvendosje nën drejtimin e tij.

Një fjalim prej 40 minutave i mbajtur javën e kaluar nga Kurti, përmbante idetë e tij për funksionimin e Lëvizjes në tri vitet e ardhshme. Një nga idetë më të pazakonta të tij ishte ajo se “aktivisti nuk guxon të pasurohet”.

“Nga aktivizmi nuk guxon të pasurohesh materialisht. Nuk duhet të bëhen politikanet e Lëvizjes më të pasur se kur kanë hyrë në Vetëvendosje, bile preferohet të bëhen më të varfër”, deklaroi Kurti një javë më parë.

Por një tjetër pikë që pritet ta dallojë funksionimin e Lëvizjes Vetëvendosje nga tri vitet e kaluara nën udhëheqjen e Visar Ymerit, është pjesëmarrja në emisionet televizive.

Sipas Kurtit, aktivistët e Vetëvendosjes nuk duhet të marrin pjesë vetëm në emisionet televizive qendrore dhe politike.

“Sa më shpesh duhet të jemi të pranishëm me shpjegimet e idetë tona edhe në televizionet lokale si dhe në emisionet e ndryshme kulturore, shoqërore e argëtuese. Emisionet politike i shikojnë zakonisht ata që tashmë janë të pozicionuar politikisht duke pasur interesa të caktuara dhe aty mund të ketë fare pak lëvizje”, deklaroi Kurti, në prezantimin e platformës së tij.

Po ashtu, tri pikat kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në tri vitet e ardhshme, sipas Kurtit, pritet të jenë këto:

“Emri ynë jemi ne. Ne që lëvizim për të vendosur vetë qytetarët. Në parim, e drejta për vetëvendosje demokratike të popullit të Kosovës, është e drejta që ky popull të shprehet për shtëpinë e vet, se a e do Republikë a Monarki, a e do bashkë me Shqipërinë a jo. Brenda kërkesës për realizimin e kësaj të drejte pozicioni subjektiv i Lëvizjes VETËVENDOSJE! është për Republikë dhe për Bashkim me Shqipërinë, si e drejtë qytetare dhe njerëzore, në frymën e bashkimit të kontinentit tonë evropian, si nevojë ekonomike, e sigurisë dhe kulturës të të gjitha shtresave të shoqërisë sonë. Serioziteti ynë është vendimtar për t’i bindur partnerët ndërkombëtarë që të jenë bashkëpunues me neve në këtë projekt, i cili është edhe në të mirë të rajonit.
Programi ynë e bën zhvillimin. Ai vazhdimisht është përmirësuar e përditësuar. Kështu do të jetë edhe në vijim. Një program jodogmatik por shumëdoktrinor, ku fokusi është te nevoja për zhvillim ekonomik, për mbrojtje të prodhimit vendor deri në mundësinë për të konkurruar (përparësia krahasuese), për luftim të pabarazisë me solidaritet dhe rishpërndarje, për sektor privat në të cilin konkurrenca dhe bashkëpunimi nuk mohojnë njëra-tjetrën, për të drejtat e njeriut dhe të pakicave, për ruajtjen e mjedisit, gjithnjë sipas modeleve të socialdemokracisë evropiane.

Ne përbëjmë organizatën tonë. Zhvillimi i një organizate transparente, ku çfarë thuhet, bëhet, sipas statutit e me rregullore. Një organizatë që ka vend për njerëz me mendime të ndryshme, që nxit kritikat konstruktive dhe i dënon provokimet, shpifjet e sidomos abuzimet prej atyre me pozitë të lartë ndaj atyre me pozitë më të ulët, një organizatë që vlerëson faljen si dhe kërkim-faljen, një organizatë që promovon vetëpërmbajtje të aktivistit i cili duhet të jetë shembull për qytetarin. Dhe, për fund, një organizatë që i kushton rëndësi leximit e studimit e shkencës, pra dijes, artit e kulturës, pra edhe shijes përveçse dijes, sepse një aktivist apo politikan i pakulturuar, i paditur, zhvillon komplekse të cilat dëshpërueshëm orvatet t’i shërojë përmes pushtetit.“

Kurti ka paraparë edhe mënyrën e financimit të VV-së, gjatë kohës sa do të drejtohet nga ai, shkruan Insajderi.

“Lëvizja vazhdon të financohet nga tri burime, fondi prej buxhetit të shtetit, donacionet dhe kontributi i anëtarësisë. Personat e punësuar në VV duhet të jenë të barabartë të gjithë, si në baza gjinore, ashtu edhe si aktivist të rinj apo të vjetër. Do të synohet të mos ketë dallime në mes pozitave”, kishte thënë Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat