Identifikimi i mbetjeve mortore të trajtohet me prioritet në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur

Kosova

Identifikimi i mbetjeve mortore të trajtohet me prioritet në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur

Më: 23 janar 2018 Në ora: 11:33
Komisioni

Këshilltari i Kryeministrit i emëruar edhe Mbajtës i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, ka realizuar dje një vizitë zyrtare në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për t’u njoftuar mbi punën dhe angazhimin e këtij Instituti.

Gjatë vizitës dhe takimeve të realizuara është diskutuar në veçanti mbi angazhimin e ekspertëve mjekoligjor të Republikës së Kosovës dhe ekspertëve të EULEX-it, në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.

Drejtori Arsim Gërxhaliu dhe antropologia mjekoligjore e EULEX-it, Tarja Formisto, në hollësi kanë prezantuar punën e deritanishme të ekspertëve mjekoligjor, duke vënë theksin në procesin e inventarizimit të mbetjeve mortore të paidentifikuara që vazhdojnë të jenë nën kujdesin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, si dhe në rastet e proceduara në terren si rezultat i të gjeturave gjatë procesit të inventarizimit. 

Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur duke vlerësuar punën e deritanishme, shprehu përkrahjen e vazhdueshme të Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të gjitha institucionet kompetente të angazhuara në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, në përpjekjen e përbashkët që familjet dhe familjarët e personave të zhdukur të mësojnë sa më parë për fatin dhe vendndodhjen e familjarëve të tyre të zhdukur si pasojë e luftës në Kosovë.

Gjatë takimit u diskutua edhe mbi sfidat me të cilat përballet në përgjithësi procesi i ndriçimit të fatit të personave të zhdukur, e në veçanti procesi i trajtimit profesional të mbetjeve mortore të paidentifikuara, e që para se gjithash ndërlidhet me mungesën e informacioneve të besueshme, mungesën e mostrave të gjakut për një numër të rasteve dhe keq-identifikimet e mundshme.

Në adresim të këtyre sfidave, Mbajtësi i Dosjes për çështjen e personave të zhdukur, Jahja Lluka, ka kërkuar nga ekspertët e EULEX-it dhe nga bashkësia ndërkombëtare që përmes mekanizmave kompetent institucional të shtohet trysnia ndaj institucioneve të Serbisë që të jenë më bashkëpunuese në procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur. Po ashtu , është kërkuar nga IML që të përgatitet lista e familjarëve të personave të zhdukur, që janë duke refuzuar dhënien e mostrave të gjakut, duke vështirësuar kështu mundësitë e identifikimit te të afërmeve të tyre të zhdukur gjatë luftës së viteve 1998 – ’99 në Kosovë, si dhe dërgimin e propozimeve të ekspertëve mjekoligjor, sipas afateve të caktuara gjatë takimit të përbashkët konsultativ të mbajtur gjatë javës së kaluar, në mënyrë të veçantë propozimet mbi mundësinë e identifikimit të mbetjeve mortore çështje kjo që do të vazhdojë të trajtohet me prioritet të veçantë në kuadër të procesit të ndriçimit të fatit të personave të zhdukur.  

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat