Kurti: Asnjëri që ofendoi në Facebook nuk më përfaqëson mua

Kosova

Kurti: Asnjëri që ofendoi në Facebook nuk më përfaqëson mua

Më: 23 janar 2018 Në ora: 12:37
Albin Kurti

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka folur për herë të parë pas zgjedhjes kryetar në një konferencë para mediave. Ai ka folur për zgjedhjen kryetar si dhe për dorëheqjet e zyrtarëve e aktivistëve të VV-së. Kurti foli edhe për komentet e shumta ofenduese në Facebook, ku tha se asnjëri prej atyre që e ofenduan, nuk e përfaqëson atë.

Kurti, para medieve tha se VV-ja nuk po ndahet, por po japin dorëheqje disa aktivistë të VV-së, të cilët sipas tij, janë të zëshëm sepse janë me pozita zyrtare.

“Në Vetëvendosje nuk ka ndarje, ka disa dorëheqje nga disa aktivistë të VV-së të cilët janë të zëshëm sepse janë me pozita të larta zyrtare”, tha Kurti.

Kurti tha se ka vullnetin e hekurt, por jo dorën e hekurt, duke thënë se për se do t’i zhgënjejë ata që presin nga ai dorë të hekurt.

“Unë kam vullnetin e hekurt, nuk e kam dorën e hekurt. Të gjithë ata që presin që unë ta kem dorën e hekurt do t’i zhgënjejë. E dua një organizatë ku inkurajohet kritika konstruktive, e sidomos e dua një organizatë ku s’do të ketë sharje e ofendime të atyre që janë më lartë në hierarki ndaj atyre që janë më poshtë”, tha Kurti.

Ai tha se nuk është as shef e as pronar i Vetëvendosjes.

“Në VV nuk jam as shef e as pronar. Sepse VV nuk është kuzhinë që të ketë shef dhe s’është as ndërmarrje që të ketë pronar. Në njërën anë, unë jam për lirinë e shprehjes, por në anën tjetër çfarë duhet të jetë kjo shprehje unë jap shembullin tim me deklarimet e mia në Facebook”, tha Kurti.

Ai foli edhe për ofendimet e aktivsitëve në Facebook, për të cilat janë ankuar vazhdimisht zyrtarët e grupit të të pakënaqurve.

“Asnjëri që ka shkruar në Facebook nuk më ka përfaqësuar mua, e as nuk e kam dirigjuar”, tha Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat