Plagosja në Drenas, ja çka ka deklaruar Skender Gjeli dhe familja Topalli

Kosova

Plagosja në Drenas, ja çka ka deklaruar Skender Gjeli dhe familja Topalli

Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 09:32
Drenas

Skënder Gjeli, ish-ushtar i UÇK-së në Zonën e Drenicës tash veteran i UÇK-së që punon si roje pylli para një muaji e kishte gjetur vetën të vdekur në një libër të autorit Hamdi Thaçi për Brigadën 114 “Fehmi Lladrovci”, por një muaj pas, ka mundur ta gjejë vdekjen për së vërteti.

Gjeli i cili po mbahet në paraburgim për një muaj, u përfshi në një përleshje të armatosur me 5 djem të ri të familjes Topalli. Sipas dëshmive që kanë dhënë të gjithë të përfshirët në këtë përleshje që ndodhi në qendër të Drenasit pikërisht në Ditën e Pavarësisë me 17 shkurt, del se veterani i luftës ka qenë i përfshirë në një përleshje me djemtë e një familje nga Baic.

Zyrtarisht nga Prokurori i Shtetit në Prokurorinë Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesën e masës së paraburgimit kundër Skënder Gjelit për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” kundër gjashtë djemve të familjes Topalli.

Ndërsa kundër djemve të familjes Topalli është vetëm akuza për “lëndim i rëndë trupor në bashkëkryerje”.

Gjeli është me profesion roje pylli sipas deklaratës së dhënë në Polici mohon se i njeh djemtë e familjes Topalli.

 Kam dalë dhe i kam parë këta djemtë duke ardhur ndërsa unë isha duke u afruar tek kafja ‘Peshkopia’, më kanë shikuar dhe, meqë unë jam pylltar, kam menduar ‘pse po më këqyrin, mos është ndonjë palë prej punës’, dhe të gjithë ata ishin në këmbë, kanë shkuar tek kerret, i kanë ndezur kerret dhe më kanë përcjellë”, ka thënë Gjeli në deklaratën e tij.

Gjeli rrëfen sesi pasi nuk ka hyrë në restorant, ai është ndjekur nga këta djem.

Ja deklarata e plotë:

“Kur jam kthyer, kur kam dalë tek rruga për parking, këta janë afruar me veturë dhe njëra veturë i ka dhënë pak shllajf ashtu i dyti kerr, i treti dhe i katërti dhe kanë shkuar tek rrethi ku kanë bërë një xhiro ndërsa unë, kur kam dalë tek telat e shkollës për të shkuar tek barnatorja, veturën e parë e kanë zatetur në qosh të shkollës dhe më kanë zënë rrugën. Unë nuk kam pas kah të shkoj, dhe as që e kam ditë se kush janë apo nga janë dhe vetëm këtu kam kuptuar kush janë këta. Dhe, pasi që i kanë ndalur kerret, kanë dalë prej kerreve, dhe kur i kam pa katër kerre… nuk më kujtohen se çfarë kerresh kanë qenë. Kur ma kanë ndaluar rrugën dhe kanë dalë prej kerrit, e kam nxjerrë revolen për t’u mbrojtur dhe kam gjuajtur në drejtim të kerrit të parë, ndërsa tjerat kanë qenë rend dhe kam gjuajtur vetëm për toke për t’ju treguar se kam armë dhe nuk kam gjuajtur për t’u vrarë, por për t’i frikësuar që të mos më sulmojnë, ndërsa kur më kanë goditur dhe kam vërejtur se e kam kokën e lagur prej gjakut, në atë moment nuk kam parë pare prej gjakut dhe kam gjuajtur me revole por nuk e di se kah kam gjuajtur. Unë asnjëherë në jetë deri më sot nuk kam pas asgjë të keqe me ta”.

Ai thotë të mos ketë pasur asnjëherë problem me ta dhe se ka gjuajtur me armë zjarri në drejtim të tyre vetëm në momentin kur e kanë goditur atë. Gjeli po ashtu tregon se armën, të cilën e ka përdorur, e ka pa leje ndërsa thekson se e mban me vete për shkak të sigurisë meqenëse punon në terren vazhdimisht.

Ndërsa rrëfimi i djemve të familjes Topalli është i ngjashëm. Por njëri nga ta, Halit Topalli i ka thënë policisë se më herët disa fëmijë të familjes së tyre kanë pasur një problem të vogël në shkollë me fëmijët e familjes Gjeli, shkruan Insajderi.

Ja deklarata e plotë e tij:

“Atë ditë kemi dalë në Drenas, na ka përcjellë tani i pandehuri që është prezent këtu, pasi që nuk e kam njohur, ndërsa ky kishte qenë me ata djemtë që kishin pas problem me djemtë e axhës tonë dhe na është afruar ky vetëm dhe i ka lëshuar dy kerret e para ndërsa në kerrin e tretë ka tentuar t’i ndalë dhe i ka gjuajtur me revole dhe kur kemi dalë ne prej veturës, unë kam dalë dhe i kam piskatë ‘mos se na vrave, na mbyte të gjithëve’, ndërsa nuk e di se kush më ka goditur apo lënduar sepse në asnjë mënyrë nuk mund të kujtohem”, ka deklaruar i pandehuri Halit Topalli, ndërsa kur pyetet se a ka pasur diçka në dorë me të dalë nga vetura, ai deklaron: “Nuk e di, nuk më kujtohet”.

Të pandehurit Mendrit, Fadil, Arbenit dhe Lirim Topalli, sipas kësaj Gjykate, paraburgimin do ta mbajnë në klinikat mjekësore në të cilat janë hospitalizuar për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore, dhe pas përmirësimit të gjendjes së tyre, “të njëjtit masën e paraburgimit do ta mbajnë në qendrën e paraburgimit të cilën do ta caktojë Drejtoria e Burgjeve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat