Thaçi: Trashëgimia pronësore, sfidë për gruan në Kosovë

Kosova

Thaçi: Trashëgimia pronësore, sfidë për gruan në Kosovë

Më: 8 mars 2018 Në ora: 13:08
Forumi me temë “Të drejtat pronësore të grave” e organizuar nga misioni i OSBE-së dhe ambasada franceze.

Si pasojë e mos zbatimit të kornizës ligjore për trashëgimi të pronësisë, shumica e grave nuk regjistrohen si pronare të pronave.

Kështu u tha sot në forumin me temë “Të drejtat pronësore të grave” e organizuar nga misioni i OSBE-së dhe ambasada franceze.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar  se shoqëria jonë është e  vonuar në promovimin dhe arritjen e barazisë së gruas në shoqërinë tonë.

Sipas tij, sfidë për gratë kosovare në Kosovë  mbetet realizimi i të drejtave pronësore dhe trashëgimisë pronësore, ndonëse sipas tij Kosova ka shënuar progres  në këtë aspekt.

Thaçi: Trashëgimia pronësore sfidë e gruas kosovare

“Por, kemi edhe sfida, gruaja kosovare vazhdon të ballafaqohet me  pengesa në realizimin e të drejtave të saj, një sfidë e tillë është realizimi i të drejtave pronësore të trashëgimisë që janë edhe objekt i kësaj konference, Neni 46 i Kushtetutës sonë ua garanton të gjithë qytetarëve të drejtat e tyre në pronë. Por, fatkeqësisht, në masë të madhe, gratë në Kosovë ende luftojnë për tejkalimin e barrierave që pengojnë trashëgiminë e pronës së paluajtshme nga familja”, ka thënë presidenti Thaçi.

Sipas tij, barrierë që e bën edhe më problematike çështjen pronësore në vend , mbetet edhe heqja dorë e grave nga e drejta e tyre për trashëgimi të pronës, por sipas presidentit Thaçi kjo duhet të ndryshojë duke filluar nga familja.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Didier Chabert, bëri të ditur se përkundër kornizës ligjore, e cila i jep të drejtën grave në Kosovë për të gëzuar pronën, situata ekonomike dhe sociale e femrave është e vështirë.

Chabert: Situata ekonomike e femrave e vështirë

“Është një kornizë ligjore lufton kundër diskriminimit ligjor dhe është esenciale, por situata ekonomike dhe sociale e femrave është e vështirë dhe ka disa shifra mjaftë shokuese vetëm 10 për qind të ndërmarrjeve janë në pronësi të femrave vetëm 17 për qind e femrave posedojnë një pasuri të paluajtshme, varshmëria ekonomike e femrave nga burrat është shumë e fuqishme dhe vendi ka një shkallë të punësimit shumë të ulët femrave në Evropë. Numri i femrave që nuk punojnë është 90 për qind,” tha Chabert.

Ai tha se e femra është e ardhmja e Kosovës, prandaj sipas tij është përgjegjësi e institucioneve shoqërisë dhe medieve përmirësimi i situatës së gruas në Kosovë.

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se të drejtat e pronës mbetet njëra ndër sfidat për zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së Kosovës.

Sipas tij edhe pse ekziston një kornizë ligjore, e cila iu siguron burrave dhe grave të drejta të barabarta, në praktikë po ndodh e kundërta. Shumica e grave në Kosovë nuk regjistrohen si pronare të pronave.

Braathu: Gratë dhe burrat kanë përjetime të ndryshme sa i takon të drejtës pronësore

“Përderisa korniza ligjore siguron që edhe burrat edhe gratë të kenë rëndësi të barabartë për të gëzuar të drejtat e tyre, në praktikë në anën tjetër gratë edhe burrat kanë përjetime krejtësisht të ndryshme ndonëse të barabartë para ligjit si pasojë e një varg arsyesh shumë gra në Kosovë thonë se ende nuk trashëgojnë prona doja të thosha se shumica e grave ende nuk trashëgojnë prona, nuk regjistrohen si pronare të pronave”, tha ai.

Sipas Braathu, tradita patriarkale dhe zakonet bëjnë që  shumica e pronave t’u vihet nën pronësi burrave, dhe kjo prek edhe gjendjen sociale dhe ekonomike të grave dhe gjithë shoqërisë në vend.

Duke iu drejtuar të rinjve kërkoi që të zbatohet ligji për trashëgimi pronësore, sepse nuk po jetojmë në kohën e Kanunit të Lekë Dukagjinit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se Qeveria ka avancuar më shumë në fushën e trashëgimisë pronësore përmes strategjisë kombëtare për të drejtat pronësore, e cila ka për qëllim definimin e pronës dhe rritjen e sigurisë juridike të pronësisë.

Sipas tij, ndryshimet ligjore që po bëhen, gruas do të sigurojnë status më i lartë në familje dhe shoqëri.

Tahiri: Po punojmë në avancimin e kësaj fushe

“Përmes këtyre ndryshimeve ligjore gruas në Kosovë do t’i sigurojmë status më të lartë në familje dhe në komunitet, më shumë kontroll në të hyrat nga pronësia si parakusht për të siguruar rol më të madh të saj vendimmarrje për të mirën  e familjes dhe shoqërisë tonë. Legjislacioni i Kosovës ka qenë mjaftë i avancuar në këtë fushë, ndërsa ne tashmë po i eliminojmë edhe disa probleme që kanë të bëjnë me harmonizimin më të mirë të legjislacionit dhe mekanizmave për realizimin më efektiv të të drejtave pronësore”, u shpreh Tahiri.

Sipas Tahirit që nga viti 2015 e deri më tani ka pasur rritje të numrit të grave që janë titulluare e një pronë, mirëpo prapë se prapë sipas tij, shifrat janë ende të ulëta.

Në konferencën “Forumi mbi të drejtat pronësore të grave në Kosovë: Trashëgimia dhe barazia para ligjit”, Hava Lajqi ka shpalosur edhe betejën për të fituar të drejtën e saj pronësore.

Ajo bëri thirrje që gratë të mos heqin dorë nga e drejta e tyre për të trashëguar pronën, dhe institucioneve vendore iu kërkoi që punojnë më shumë në këtë drejtim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat