Skandaloze, Thaçi bënë humor në ditë zie te familja Maloku

Kosova

Skandaloze, Thaçi bënë humor në ditë zie te familja Maloku

Më: 11 mars 2018 Në ora: 16:24
Thaçi në Malishevë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, mori ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, së bashku me një delegacion, shkuan në familjen Maloku në Plloqicë të Malishevës për ngushëllime për vrasjen e dyfishtë që ndodhi në familje në orët e hershme të mëngjesit të së premtes.

Që përtej dyerve të oborrit, familjarë, farefis, miq, shokë e dashamirë, kishin dalë ta presin Presidentin dhe delegacionin e tij që kishin shkuar për ngushëllime.

U përshëndetën me vargun e gjatë të njerëzve dhe u ulën në karrige. Përball kishin bacën Tafë dhe bacën Murat që ishin caktuar për ngushëllime.

Presidentit ia dha fjalën Naim Maloku. Gjatë fjalimit, Presidenti i ngushëlloi familjen Maloku, duke thënë se bashkëndjejnë me ta.

“Ngjarja e fundit që ndodhi e kemi marrë me keqardhje shumë të madhe, me dhimbje shumë të madhe dhe e ndajmë me ju si familje dhe si farefis. Ngushëllimet më të sinqerta”, ka thënë Thaçi.

Por në fund të fjalimit keqardhës, Presidenti gjeti kohë për pak humor.

Naim Maloku, i cili e mbante rendin aty, iu drejtuar Presidentit Thaçi dhe delegacionit, duke u thënë se mund ta marrin fjalën cilido prej tyre.

“Mundesh m’i përcjellë fjalën. Paske këtu edhe ministrin e Drejtësisë, edhe këshilltarin e ki afër aty, urdhoni”, u tha Maloku.

Këtu u zunë ngushtë, filluan të shikoheshin mes vete, dhe nuk dinin se cili ta merrte fjalën. Një hoxhë që ishte afër Presidentit Thaçi, i sugjerojë atij që t’ia japë fjalën ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit, ndonëse i takonte të fliste diçka, pasi edhe rasti lidhej me institucionin që ai e drejton – drejtësinë.

Por Thaçi, si me shaka, tha se ministrat s’kanë pse të flasin kur Presidenti është aty.

“Ministrat kanë dëgjuar se kur është Presidenti…”, ka thënë Thaçi dhe nisi të qeshte, duke ia bërë me shenjë ministrit Tahirit që ta marrë fjalën.

Për ta nderuar ish-shefin e tij, ministri Tahiri tha se nuk është e lehtë të flitet pas Presidentit.

“Pas Presidentit nuk është lehtë me fol…”, ka ministri Tahiri me buzagaz.

Megjithatë, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, tha se institucionet po punojnë maksimalisht që kryesit e vrasjes së dyfishtë të dalin para drejtësisë.

“Ai mëngjesi i ditës së premte ka qenë shumë i rëndë, me ka marrë në telefon presidenti dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha autoritetet të cilat janë duke e bërë maksimumin që këta njerëz që e kanë kryer këtë vepër kaq të rëndë të dalin para drejtësisë”, ka thënë ministri Tahiri.

Por as presidenti nuk harroi ta premtojë një gjë të tillë – tha se duhet të kemi besim në shtet dhe drejtësi.

“Institucionet do të punojnë maksimalisht për ta zbuluar të vërtetën. Prandaj duket të kemi besim në shtet, duke të kemi besim në drejtësi”, ka shtuar ai.

Për më tepër, Shani e Bahri Maloku u vranë të premten pas mesnate në pragun e shtëpisë nga dy persona me një breshëri plumbash në shtëpinë e tyre në fshatin Plloqicë të Malishevës. Për këtë rast nga ana e organeve të hetuesisë janë ndaluar dy persona.

Gjykata Themelore në Gjakovë, dy të dyshuarve që në shtëpinë e tyre kishin hyrë për vjedhje, u ka shqiptuar një muaj paraburgim. Paraburgimi u është caktuar dy të dyshuarve për këtë vrasje të dy me inicialet B.M.

Vrasja e dy vëllezërve Maloku ndodhi të premten në orët e para të ditës në fshatin Plloçicë të Malishevës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat