Veseli kërkon që Kroacia të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Kosova

Veseli kërkon që Kroacia të vazhdojë mbështetjen për Kosovën

Më: 14 mars 2018 Në ora: 12:30
Kadri Veseli ka pritur sot në takim ministren e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pejqinoviq – Buriq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot në takim ministren e Punëve të Jashtme të Kroacisë, Marija Pejqinoviq – Buriq, me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend e rajon, bashkëpunimin midis dy shteteve dhe mundësinë e zgjerimit të mëtejmë të tij.

Kryeparlamentari Veseli vlerësoi lart marrëdhëniet politike e diplomatike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Kroacisë, por konsideroi se ka ende hapësira për rritjen e këtij bashkëpunimi.

Kryeparlamentari kosovar e konsideroi shumë të vyer dhe të rëndësishme për Kosovën përvojën kroate në rrugën e integrimeve evropiane. Ai kërkoi nga krye diplomatja kroate që Zagrebi zyrtar të vazhdojë të jetë, sikur deri më tani, një zë përkrahës i Kosovës në institucioneve ndërkombëtare, në të cilat vendi ynë aspiron të anëtarësohet.

Krahas fushës politike, kryetari Veseli e konsideroi mjaft të rëndësishme për Kosovën zgjerimin e bashkëpunimin në rrafshin ekonomik, duke parë te Kroacia një model të suksesshëm zhvillimi e bashkëpunimi.

Ministrja e Jashtme kroate, Pejqinoviq – Buriq, nga ana e saj, garantoi vazhdimin e mbështetjes së Kroacisë për Kosovën në të gjithë mekanizmat relevantë ndërkombëtarë, duke i dhënë një shtytje të fuqishme iniciativave të cilat e forcojnë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat