Jahjaga takoi zëvendës sekretaren amerikane të mbrojtjes, Laura Cooper

Kosova

Jahjaga takoi zëvendës sekretaren amerikane të mbrojtjes, Laura Cooper

Më: 11 prill 2018 Në ora: 20:15
Atifete Jahjaga dhe Laura Cooper

Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga u takua me Laura Cooper, zëvendës sekretaren amerikane të mbrojtjes për Rusi, Ukrainë dhe Euroazi me të cilën bisedoi për zhvillimet në vend, me theks të veçantë në proceset e sigurisë.

Presidentja Jahjaga falënderoi zëvendës sekretaren Cooper për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve gjatë proceseve të ndryshme shtetndërtuese të Kosovës dhe theksoi nevojën e përgjithshme për një angazhim më të madh evropian dhe amerikan që do t'i ndihmonte shtetet e rajonit në konsolidimin e demokracisë dhe sundimin e rendit dhe ligjit në kuadër të integrimeve euro-atlantike.

Po ashtu, gjatë këtij takimi u diskutua rreth procesit të transformimit të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, me ç’rast Jahjaga kërkoi ndihmën e SHBA-ve dhe mbështetje të mëtutjeshme.

“Zëvendës sekretarja Cooper rikonfirmoi gatishmërinë e SHBA-ve për përkrahjen e Kosovës gjatë proceseve në fushën e sigurisë, duke theksuar se procesi i transformimit të FSK-së në ushtri duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe përmes një procesi politik gjithëpërfshirës”, njofton Zyra e ish-presidentes Jahjaga.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat