Vetëm 7% e naftës kontrollohet në Kosovë

Kosova

Vetëm 7% e naftës kontrollohet në Kosovë

Më: 13 prill 2018 Në ora: 17:04
Ilustrim

Kosova ka importuar 700 milionë litra derivate të të gjitha llojeve në vitin 2017. Sipas Doganës së Kosovës vetëm në vitin e kaluar janë bërë 1300 kontrolle të kualitetit të derivateve.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganë thotë se gjatë vitit të kaluar Dogana ka kthyer 10 dërgesa pasi sipas tij, nuk kanë qenë konform udhëzimit administrativ. Ai tha për EkonomiaSot se “Niveli i analizave për të gjitha dërgesat është 7 për qind”.

Kontrolli i cilësisë së derivateve në Doganës së Kosovës bëhet në bazë të një udhëzimi administrativ, me anë të të cilit ish-ministrja e atëhershme e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) Hykmete Bajrami, ia ka kaluar Doganës kompetencën për kontrollin e cilësisë së naftës.

Mirëpo ministri aktual Bajram Hasani me marrjen e mandatit në krye të këtij dikasteri ka kërkuar që kontrolli i cilësisë t’i kthehet kësaj ministrie.

Kundër kësaj iniciative ka dalur Shoqata e Naftëtarëve të Kosovës. Fadil Berjani, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë për EkonomiaSot se deri më tani cilësia e naftës nuk është kontolluar fare, madje çështjen e trupave inspektuese të cilësisë së naftës e ka quajtur manipulim.

“Shoqata e naftëtarëve ka kërkuar që të ketë kontrollë të cilësisë dhe të kontrollohet cilësia por deri më tani nuk është kontrolluar. Ne kërkojmë që trupat inspektues të largohen dhe të mos manipulohet në emër të trupave inspektuese me cilesinë siç u manipulua deri më tani”, tha ai.

Ai ka thënë se Shoqata kërkon që Ligji i Naftës të kaloj sa më shpejtë në Kuvend pasi sipas tij, ky ligj do të rregullojë në tërësi këtë sektor duke përfshirë edhe kontrollin e cilësisë.

“Shoqata e naftëtarve kerkon që ligji i naftës duhet të kalojë sa më parë pasi me anë të atij ligji do të duhet rregulluar kontrolli i cilësisë, licencat dhe largesia ne mes të pikave të karburantit, pranimi i humbjeve etj. Ne kemi shpresuar në punën e këtij ministri z.Bajram Hasanit i cili do të rregullonte sektroin e naftës mirëpo edhe ky si ish ministrat e kaluar nuk ka bërë asgjë deri më tani. Ne kemi kërku që ligji i naftës duhet të jetë i përshtatshëm për të gjitha bizneset “, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat