Banorët e Makovcit kërkojnë rritje të sigurisë në rrugë

Kosova

Banorët e Makovcit kërkojnë rritje të sigurisë në rrugë

Më: 15 prill 2018 Në ora: 14:34
Protesta

Banoret e fshatit Makovc kanë protestuar në rrugën në të cilën brenda një kohe shumë të shkurtër janë shkaktuar aksidente me fatalitet, deri sa kanë kërkuar nga organet kompetente që të marrin masa për parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e sigurisë.

Arben Krasniqi ka bërë të ditur se kjo është veç protesta e parë duke thënë se nëse Policia dhe ministri i Infrastrukturës, Palë Lekaj, nuk ndërmarrin masa në një afat të shkurtër, ata do të ndërmarrin vet diçka.

Krasniqi: Duhet të ndërmarrim vet diçka sepse kjo nuk është normale

“Kjo është protesta e parë sot. Para një jave këtu ka ndodhur një aksident me fatalitet. Para tre muajsh ka ndodhur një tjetër aksident me fatalitet, që la të vdekur një 5 vjeçar. Ju kishim lut që të marrin masa, së pari policinë, e së dyti Palë Lekajn, ministrin e infrastrukturës i cili pinë çdo natë e nuk mendon për popull. Këtu vozisin deri 170-180/h, ka shumë shumë aksidente. Sot është dita e parë, mirëpo nëse nuk ndërmarrin diçka shumë shpejt, ne do të ndërmarrim vet diçka që është e jashtëligjshme. Duhet të ndërmarrim vet diçka sepse nuk është normale. Krejt kemi fëmijë dhe shumë shpejt vozisin këndej”, tha ai.

Riad Krasniqi, kryetar i shkollës fillore "Ganimete Tërbeshi", kujtoi shokun e tij që kishte humbur jetën në një aksident, që sipas tij, kishte ndodhur për shkak të pakujdesisë së vozitësit, deri sa bëri apel që të rritet siguria në atë zonë.

Krasniqi: Jemi të rrezikuar me na shkelë ndonjë veturë

“Ai djali që ka vdekur këtu, e kam konsideruar sikur një vëlla timin. Kam derdhur shumë lot dhe nuk ka kurrëfarë përgjegjësie këtu. Shpend Ahmetit qytetarët ia kanë dhënë votën. Ai i çon fëmijët e vet me xhipa e me roje në shkolla. E na? Na qetu qe me dalë jena të rrezikuar me na shkelë ndonjë kerr. Unë kam vëlla të vogël, janë edhe të mëdhenjtë të rrezikuar e lëre ma fëmijët”, u shpreh Krasniqi.

Ndërsa Jeton Krasniqi, njëri nga protestuesit, tha se Policia ka filluar të frekuentojë këtë zonë qe dy ditë, vetëm pasi që ka ndodhur një aksident. Ai rrëfeu se si para dy javësh një person kishte mbetur i vdekur në vend pasi që kishte goditur dhe rrëzuar edhe murin e oborrit të tij.

Krasniqi: Shpejtësia e veturës ishte rreth 200/h

“Kjo ka ndodhë të shtunën e kaluar para dy javësh, kur para 5 minutash kemi dalë prej këtu. Dhe ka ardhë këtu kerri dhe ka goditur. Shpejtësia ka qenë jashtëzakonisht e madhe, afër 200 orë qysh policia na ka tregu. Dhe e shihni edhe vet sikur tërmet është bë, krejt i ka rrëzuar, me blloka me krejt”, tregoi ai.

Përndryshe ai tha se mungesa e policisë është vërejtur për një kohë shumë të gjatë.

Krasniqi: Pothuajse asnjë kerr nuk vozitë nën 100

“Policia këtë rrugë pothuajse hiç fare nuk e kontrollojnë. Banorët që janë jashtë Makovcit vijnë vozitin për Gjilan jashtëzakonisht shpejt. Patrolla nuk ka. Fëmijët nuk mund t’i lëmë vet hiç, në asnjë minutë as në autobus e as në shkollë. Nonstop duhet me përcjellje. Punën duhet lënë në gjysmë për me e çu fëmijën në shkollë, duhet me shku me e marr sepse asnjë kerr pothuajse nën 100 nuk vozitë”, tha ai.

Rruga në Makovc frekuentohet edhe nga qytetarë të cilët marrin rrugën për Gjilan, dhe sipas banorëve, shoferët shpeshherë dinë të mos jenë të kujdesshëm edhe pse vozisin në një zonë të banuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat