RRGK e shqetësuar për rritje të rasteve të dhunës ndaj grave

Kosova

RRGK e shqetësuar për rritje të rasteve të dhunës ndaj grave

Më: 16 prill 2018 Në ora: 17:40
Foto ilustrim

Rrjeti i Grave të Kosovës me anë të një komunikate ka shprehur shqetësimin për dhunën ndaj grave.

Në fshatin Varosh të komunës së Ferizajt më 14 prill  një i moshuar kishte sulmuar me sëpatë bashkëshorten e tij. Si pasojë e lëndimeve të fituara, viktima është dërguar në trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari për këtë vepër është dërguar në mbajtje me urdhër të prokurorit. Rasti është trajtuar si “vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa nuk është përmendur nëse ky rast po trajtohet edhe si rast i dhunës në familje, shkruajnë mediat lokale. 

“ Nga familjarët dhe të njohurit e viktimës, u kuptua që si pasojë e traumës psikologjike të fituar pas sulmit me sëpatë, edhe anëtarë të tjerë të kësaj familje janë duke pranuar trajtim mjekësor, për të kaluar përjetimin traumatik. Sipas po këtyre burimeve, më të prekurit janë fëmijët e kësaj familje, të cilët ishin të pranishëm kur kishte ndodhur rasti”, thuhet në komunikatën e Rrjetit të Grave.

Studimet e bëra në Kosovë, por edhe në botë, tregojnë për pasojat që lë dhuna. Këto pasoja nuk mbesin vetëm në viktimën por edhe tek dëshmitarët e dhunës. Ndjenja e turpit, e vetmisë, mungesa e vetëbesimit, abuzimi me droga dhe alkool, paaftësia për të krijuar marrëdhënie të shëndosha shoqërore dhe emocionale, janë disa prej problemeve të cilat shfaqen tek personat që kanë përjetuar dhunën apo kanë qenë të pranishëm në situata të dhunës, thuhet në njoftim.

“Prandaj, duke i pasur parasysh pasojat dhe ndikimin që dhuna ka tek individët por edhe tek shoqëria, RrGK bënë thirrje që dhuna të ndalojë. Kjo është e mundur nëse ne, e tërë shoqëria, e dënojmë dhe nuk e tolerojmë dhunën. Po ashtu, RrGK u bënë thirrje institucioneve të rendit dhe ligjit, që të trajtojnë seriozisht të gjitha rastet e dhunës ndaj grave, dhe aty ku ka elemente të dhunës në familje, të trajtohen si të tilla, duke e pasur parasysh peshën që i bie një krimi, në rast se ai krim shkaktohet në marrëdhënie familjare”, thuhet në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat