Ministri i Financave Bedri Hamza gjatë vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka zhvilluar takim me zyrtarët e lartë të Thesarit Amerikan dhe USAID-it Larry McDonald dhe Gretchen Birkle.
Me këtë rast, Hamza i njoftoi zyrtarët e lartë të Thesarit Amerikan dhe USAID-it me progresin e Kosovës në fushën e financave që ka bërë Kosova dhe po ashtu edhe me sfidat për të ardhmen.
“Ministri Hamza gjithashtu e vlerësoi shumë ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë për Kosovën në këtë rast për Thesarin dhe USAID-in Amerikan që kanë ndihmuar në shumë fusha të zhvillimit ekonomik duke përfshirë edhe asistencën e dhënë në ngritjen e institucioneve të Republikës së Kosovës. Ngritja e kapaciteteve profesionale njerëzore në institucionet tona nuk është shpenzim por është investim në të ardhmen e mirë të ndritur të Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media nga kjo Ministri.
Siç thuhet në komunikatë ministri është shprehur i lumtur që USAID-i dhe Thesari Amerikan janë pjesë e historisë së suksesit jo vetëm të Ministrisë së Financave por edhe gjithë zhvillimit të Kosovës.
Ndërsa, zyrtarët e lartë amerikanë Larry McDonald dhe Gretchen Birkle, vlerësuan lart zhvillimet pozitive që po ndodhin në Kosovë.
“Këto zhvillime nuk do të ishin të mundura pa vendimet e mëdha të marra në Ministri të Financave. Ata gjithashtu vlerësuan performancën buxhetore të Kosovës, politikën fiskale në ndihmë të biznesit, fondin për garantimin e kredive etj”, thuhet në komunikatën e MF-së.