DASH me një varg kritikash për drejtësinë sa i përket mbrojtjes së grave viktima të dhunës

Kosova

DASH me një varg kritikash për drejtësinë sa i përket mbrojtjes së grave viktima të dhunës

Më: 21 prill 2018 Në ora: 13:50
Ilustrim

Dhuna në familje vazhdon të prijë për nga problemet e të drejtave të grave në Kosovë, sipas Raportit mbi Vlerësimin e të Drejtave të Njeriut nga Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut.

Në këtë raport thuhet se ligjet në Kosovë e adresojnë dhunimin si akt kriminal, por megjithatë nuk e adresojnë në mënyrë specifike edhe dhunimin që ndodh nga bashkëshortet që ndodh në raste të dhunës në familje.

Raporti po ashtu thekson se dhunimi mund të dënohet deri në 15 vjet burg, megjithatë I referohet të dhënave të Misioni Evropian për Sundim të ligjit (EULEX) kur thotë se maksimumi I dënimit nuk praktikohet në këto raste në Kosovë. “EULEX vuri në dukje se gjykatat shpesh aplikojnë ndëshkime më të lehta se minimumi ligjor në rastet e përdhunimit, veçanërisht në rastet kur viktima ishte e mitur”, thuhet në raport.

Po ashtu thuhet se EULEX-I ka gjetur raste kur shumë rrallë gjykatat kanë marrë veprime për të mbrojtur viktimat dhe dëshmitaret e rasteve, dhe nuk kanë mbyllur seancat publike ashtu siç kërkohet sipas ligjit.

“Një divizion i zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka ndihmuar për të siguruar qasje në drejtësi për viktimat e të gjitha krimeve, me një fokus të veçantë në viktimat e dhunës në familje, trafikimin e personave, abuzimin e fëmijëve dhe përdhunimin”, thuhet në raport.

Megjithatë raporti po ashtu vë në dukje se ligjet e trajtojnë dhunën në familje si çështje civile, megjithëse viktimat pësojnë lëndime trupore.

“Mosrespektimi i aktgjykimit të një gjykate civile në lidhje me një rast të dhunës në familje është një vepër penale dhe duhet të ndiqet penalisht, megjithatë ka qenë e rrallë ndjekja penale e këtyre rasteve”, shkruan tutje në raportin e DASH.

Niveli i ndjekjes penale dhe ngritjes së aktakuzave në raport me raste e raportuara të dhunës ndaj grave sipas DASH është i ulët.

Avokatë dhe monitorues të gjykatave sipas raportit kanë pohuar se gjyqtarët favorizojnë bashkimin e  familjes, mbi mbrojtjen e viktimës duke marrë masa mbrojtëse të cilat e lejojnë kryesinë e dhunës që të qëndrojë në familje derisa një rast është ende në trajtim.

“Dënimet shpesh ishin të buta, duke filluar nga qortimet gjyqësore deri në burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet”, thekson raporti.

Një ndër rastet që theksohet me shkelje nga ana e drejtësisë është ai i Zejnepe Berishës, kur bashkëshorti i saj i cili theri atë me thikë Nebih Berisha u dënua me vetëm 12 vjet burg në vitin 2015. Reagimi I mediave dhe shoqërisë civile, si dhe ankesa e prokurorit ë rastit, bëri që gjykata ta rris dënimin me burg prej 12 në 17 vjet.

Raporti flet po ashtu për ngacmimet seksuale, që me ligjet në Kosovë trajtohet si rast civil. Sipas DASH, të dhënat e organizatave të grave në Kosovë tregojnë se ngacmimet më të shpeshta kanë ndodhur në vendet e punës së grave të cilat kanë qenë viktima të ngacmimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat