Nisi para 7 viteve, objekti i Administratës në Podujevë ende jo funksional

Kosova

Nisi para 7 viteve, objekti i Administratës në Podujevë ende jo funksional

Më: 22 prill 2018 Në ora: 08:32
Objekti i Administratës në Podujevë ende jo funksional

Kishte nisur të ndërtohej në dhjetor të vitit 2011, por objekti i Administratës Komunale në Podujevë ende nuk është funksional. Ky projekt ishte paraparë të përfundojë në vitin 2013 dhe të ishte gati për tu përdorur për nevojat e komunës.

Objekti i cili gjendet në qendër të Podujevës në pamje të parë shihet i përfunduar dhe gati për tu përdorur, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende.

Zyrtarët nga Komuna e Podujevës për Indeksonline kanë thënë se ky projekt është në fazën përfundimtare por që organi mbikëqyrës komunal ka evidentuar disa defekte gjatë punimeve, të cilat po sanohen nga kompania mbikëqyrëse.

“Ndërtimi i objektit tashmë është në fazën përfundimtare. Organi mbikëqyrës komunal ka evidentuar disa defekte-lëshime gjatë punëve përfundimtare, të cilat janë duke u sanuar nga punëkryesi. Përndryshe, Komuna tashmë ka filluar inventarizimin e objektit, sepse nga kompania e kontraktuar nga Komisioni Evropian për kryerjen e punimeve kemi marrë zotimin që gjatë këtij muaji do të bëhet pranimi teknik i objektit”, ka thënë zyrtari për informim në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi.

Por, ndryshe ka thënë vet donatori për ndërtimin e këtij objekti e që është, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Këta të fundit fajin për mos përfundimin ia lënë Komunës së Podujevës, duke thënë se nuk kanë bërë ende dërgimin dhe instalimin e nënstacionit të shpërndarjes me energji elektrike.

“Projekti është në fazën përfundimtare. Arsyet pse nuk është lëshuar ende është vonesa në dërgimin dhe instalimin e nënstacionit të shpërndarjes me energji elektrike (një detyrim i komunës që është përcaktuar në marrëveshjen mes Bashkimit Evropian dhe Komunës së Podujevës”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Sipas tyre sapo ndërtesa të lidhet me rrjetin e energjisë elektrike, do të bëhen edhe disa teste dhe ndërtesa do të mund të përdoret.

“Sapo ndërtesa të lidhet me rrjetin e furnizimit me energji elektrike, do të kryhen testet e komisioneve të instalimeve mekanike dhe të ngrohjes së ndërtesës. Testet pritet të ekzekutohen në javët e ardhshme, kështu që ndërtesa mund të pranohet sipas kërkesave të kontratës”, përfunduan ata.

Kompania e kontraktuar për përfundimin e këtij projekti është “ALBA Konstruksion Shpk” nga Shqipëria.

Ky projekt në tërësi kapë vlerën e 1 milion eurove dhe ka një sipërfaqe prej 4 mijë metrash katrorë.

Rikujtojmë, që në vitin 2014 ndërtimi i këtij objekti ishe pezulluar për disa kohë, kjo për shkak të një mosmarrëveshjeje mes Zyrës së Bashkimit Evropian dhe kompanisë kontraktuese

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat