Kush ishte Isuf Hamëz Bytyqi?

Kosova

Kush ishte Isuf Hamëz Bytyqi?

Nga: Lulzim Gashi Më: 25 prill 2018 Në ora: 09:04
Isuf Hamëz Bytyqi

Isuf Hamët Bytyqi u lind më 7 Qershor 1920 në fshatin Nishor, Komuna e Suharekës. Vdiq më 23 Korrik të vitit 1979. Ishte gjyshi im nga dajët, një figurë e veçantë me  merita të pakontestushme që zë vend në historinë e kombit shqiptar. Ai ishte  me gradën Major dhe ishte  zëvendës i Shefqet Bylykbashit- Kapetanit. Sipas të dhënave faktike, jo vetëm që ishte zëvendës i Shefqet Kapetanit, por ishte edhe promotor udhëheqës  i luftës në front. Ishte nga të paktit ushtarakë që dinte bukur mirë shkrim dhe lexim. Kjo i kontribuoi që krahpërkrah me Shefqet Kapetanin të kishin një strategji të veçantë ushtarake që u mundësonte të kishin sukses në front. Vlen të përmendet se gjyshi im, Ahmet Abaz Syla nga Llapushniku, ishte korrier personal i majorit  Isuf H. Bytyqit, si dhe major i Shefqet Bylykbashit-Kapetanit.

Dëshiroj të potencoj për të gjithë ata që nuk e dinë, sepse ende nuk kam hasur në ndonjë dukument apo libër ku në luftën heroike të UÇK-së, se pikërisht në shtëpinë  e Ahmet Abaz Sylës, pra në Llapushnik, ishte kuzhina e parë e shtabit të UÇK-së, tashmë e rrënuar dhe pa ndonjë mbrojtje institucionale. Një përshkrim të zymtë të këtyre mureve i kam përmendur në poezinë „M'foli Plisi! Major Isuf H. Bytyqi ishte  peng i Rankoviqit, dhe detyrohej që së bashku me shumë trima e bashkëfshatarë të fshatit Nishor, që për çdo ditë të torturohej, madje nga dy herë në ditë: në ora 08:00, si dhe në ora 15:00.

Sipas deshmitarëve që ende janë gjallë, xhandermeria e Rankoviqit në oborrin e shkollës fillore të fshatit Nishor,  komuna e Suharekës (Therrandës), në kërkim të armëve, i detyronte që për çdo ditë me orë të tëra duke ju hapur gropë dhe për së gjalli pasi i futshin në dhe, i torturonin në mënyre më barbare. Sipas rrëfimeve të familiarëve, gjyshi im, Isuf H. Bytyqi,  armët i  kishte fshefur, njërën në një bunar, në vendin e quajtur Shkozë, ku ende edhe sot ai bunar qëndron i rrënuar, si dhe të dytën me një palë turbi në murin e fortesës së Rasim Bytyqit. Përkundër gjithë asaj torture, Isuf Hamëz Bytyqi mbijetoi, por me pasoja të rënda shëndetsore. Problemet me frymmarrje, reumatizmën etj. Qysh në moshë të re ishte  burgosur nga ushtritë çetnike dhe ishte dërguar për torturë në  një burg afër kufirit me Hungarinë.

Në një ditë nëntori, kishte  arritur të arratisej nga  ky burg, i mbështjellur vetëm me një thes harrni, dhe vetëm me dy misra (kallamboç), si të vetmin ushqim për 23 ditë sa zgjati rruga e arratisjes, rruga e kthimit nga burgu për në familje. Diku afër Rashkës, gjatë arratisjes kishte kaluar natën e ftohtë i mbështjellur ne një stogë kashte. Të nesermen, kur shkina serbe kishte shku që të merr kashtë për thi, në momentin që e heton Isufin, nga frika filloi të alarmojë të tjerë çetnikë të asaj shptëie. Sipas rrëfimeve të Isuf Bytyqit, çetnikët i vërsulen dhe diku mbi  6 orë ishte ndjekur nga i gjithë fshati i çetnikëve. Vdekjes nga plumat e çetnikëve i kishte shpëtur falë zgjuarësisë së tij,  duke ndërruar kahjen e ikjes, duke u këthyer po në atë fshat të shkive, për te gjetur strehim në  një pleme kashte, dhe atë plotë dy ditë pa ujë, derisa çetnikët pa sukses vazhduan 24 orë kërkimin e Isufit në Malet dhe fushat e atij fshati.

Kështu, në ditën e 23-të kishte arritur të vinte në majen e  Gallushes, një kreshtë e fshatit Nishor, që ka diku 1 km distancë deri të shtepia. Nga rraskapitja, nga pa fuqia  për të ecur, kishte mbetur i shtrirë  pa vetëdije mbi majen e kësaj kreshte, derisa rastësisht  ishte gjetur nga një bari i fshatit. Me të dëgjar fshati për kthimin e tij, ashtu siç e përshkrujnë dëshmitarët, disa burra të fshatit arritën shpejt ta tërheqin trupin e tij gjysmë të vdekur, ku thuajse ishte ngrirë nga ngrica e borës. Të  mbështjellur me qylym dhe e vendosen mbi kanata kerri. Ashtu i pa vetëdije, Isufi kishte qëndruar plotë 30 orë. Pas rënies së Rankoviqit, tortura e dhuna nga pushteti Jugosllav iu shtua më shumë. Ajo u shtua pasiqë një nga vëllezërit e familjes së tij, vëllau Baliu, kishte ikur për në Shqipëri.

Regjimi Jugosllav përpiqej me çdo kusht, duke e torturuar major Isuf H. Bytyqin, të dinte shkaqet e ikjes së Baliut në Shqipëri. Njëherit, duke aluduar se vetë Isufi ishte ai që kishte mundësuar ikjen e Baliut. Nga pamundësia t’u bëjë ballë turturave,  Isuf H. Bytyqi  kohëpasë kohe ishte detyruar të strehohet te dajallarët e tij në fshatin Korishë. Ishte tejet i respektuar nga fshati dhe miqtë anembanë Kosovës. Unë si fëmijë e mbaj mend bukur mirë. Ishte edukator i mirë, i besës dhe i fjalës, por ishte nganjëherë edhe i ashpër. Fjala e tij ishte fjalë e një ushtaraku. Ishte ligj.

Po ashtu vlen të përmendet se lidhshmëria familjare, lidhshmëri gjaku, ishte dhe është një trekëndësh në gjirin e familjeve të  Rifat Berishës, Abaz Sylës nga Llapushniku, si dhe  Isuf  Hamëz Bytyqit. Kjo lidhshmeri ishte halë në sy për regjimin Jugosllav, ku përmes reformës agrare, familjes së Abaz Sylës- Gashi, iu aneksuan 74 ari tokë pune, që ende nuk u kthyen. Mendoj se historianët e Kosovës nuk duhet të jenë lokalistë, por ta zgjerojnë integritetin e tyre hulumtues ndaj figurave të lavdishme të kombit, si kjo e Isuf Hamëz Bytyqit dhe e shumë e shumë të tjerëve. Është obligim. Është nderë e privilegj nga institucionet e shtetit të perkujdesen, së paku të mos mbesin në harresë dhe pa mirnjohje institucionale!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat