Ambasadori norvegjez: Shtysa për progres duhet të vjen nga vet Kosova

Kosova

Ambasadori norvegjez: Shtysa për progres duhet të vjen nga vet Kosova

Më: 25 prill 2018 Në ora: 10:43
Ambasadori i Norvegjisë, Per Strad Sjaastad,

Ambasadori i Norvegjisë, Per Strad Sjaastad, ka marrë pjesë në Konferencën Rajonale “Dekada e ardhshme e Kosovës: Bashkëpunimi Rajonal dhe Integrimi në BE”, ku ka thënë se Kosova e posedon kapacitetin për të qenë e suksesshme, porse sipas tij shtysa për progres duhet të vjen nga vet ajo, njofton Klan Kosova.

“Kam besim që Kosova ka zotësinë dhe kapacitetin që të jetë në mesin e atyre [shteteve] që janë të suksesshme”, ka thënë Sjaastad në konferencë.

“Ndërlidhja me strukturat euroatlantike do t’i ndihmojë Kosovën që t’i arrijë standardet perëndimore , normalitetit dhe mundësive”.

“Por shtysa më e rëndësishme për këtë progres, vullneti për të reformuar dhe ndryshuar duhet të vjen dhe burojë nga vet Kosova nga njerëzit e saj dhe nga udhëheqësit e saj”.

Sjaastad tha se në dekadën e ardhshme Kosova duhet ta përmbyllë kapitullin e tranzicionit, dhe se duhet të përpiqet që ta ndërtojë një vizion të përbashkët për të ardhmen.

“Në dekadën e ardhshme Kosova duhet ta përmbyllë kapitullin e tranzicionit të historisë së saj. Kosova duhet të përpiqet ta ndërtojë një vizion të përbashkët për të ardhmen dhe për mënyrën se si t’i adresojë problematikat e vendit, dhe si t’i mobilizojë të gjitha aspektet shoqërore për t’i arritur këto objektiva”.

“Historia ka treguar që progresi do të jetë më i shpejtë përmes kompromisit dhe ndërtimit të konsensusit në mes të partive politike”, vijoi Sjaastad, duke shtuar se po ashtu duhet të inkurajohen iniciativat për afrimet e dallimeve që vijnë nga qeveritë dhe opozita.

Në mesin e çështjeve të rëndësishme për Kosovën ai tha se janë marrëdhëniet me Serbinë, si dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit.

“Adresimi i këtyre politikave me sukses do të mundësojë progresin në të gjithë sektorët”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat