Lekaj, licencën për atestime, nga Fakulteti e bart një kompanie private

Kosova

Lekaj, licencën për atestime, nga Fakulteti e bart një kompanie private

Më: 25 prill 2018 Në ora: 12:17
Institutit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike

Institutit të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike pranë Universitetit të Prishtinës, Ministria e Infrastrukturës i ka marr licencën për atestime të automjeteve rrugore.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Ahmet Shala thotë se përmes një letre është njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës se këtij institucioni i është ndërprerë veprimtaria me hyrjen në fuqi të udhëzimit administrativ 02/2018.

Sipas Shalës në këtë vendim thuhej se bazuar në nenin 22 të këtij udhëzimi administrativ është përcaktuar që të gjitha detyrat nga fusha e homologimit të automjeteve rrugore t’i ushtoj subjekti i autorizuar për homologim  nga Ministria e Infrastrukturës.

Shala këtë vendim e ka konsideruar të jashtëligjshëm, pasi sipas tij puna e homologimit të automjeteve i është dhënë kompania private e cila merret me homologimin e automjeteve QAK “Euro Lab”.

Sipas tij ky subjekt privat asnjëherë nuk  ka kryer veprimtarinë që e ka bërë deri dje ky institut publik.

Shala: Ky vendim i paligjshëm

“Kuptohet që është fushë që i përket fakultetit të inxhinierisë mekanike mirëpo edhe opinioni publik është i mirënjohur në Kosovë që institucioni privat që merret me homologim  të automjeteve i vetmi është subjekti QAK ‘Euro Lab’. Në bazë të kësaj letre kjo punë tash i delegohet për mendimin tonë në mënyrë të paligjshme për shkak se ata asnjëherë nuk e kanë kryer këtë veprimtari, këtë lloj të homologimit”, tha Shala.

Sipas Shalës mjetet e ardhura nga ky institut kanë shkuar në  buxhetin e UP-së, 10 përqind janë ndarë për Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, kurse pjesa tjetër u ka takuar njerëzve që e kanë kryer punën brenda atij instituti.

Ai tutje ka shtuar se do vazhdojnë me rrugë ligjore për të rikthyer veprimtarinë e tyre për atestimin apo homologia individual të automjeteve rrugore.

Prodekani për mësim në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Ilir Doçi tha se me këtë vendim Ministria e Infrastrukturës ka goditur jo vetëm këtë institut por edhe studentët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët janë aftësuar profesionalisht në këtë institut.

Ai ka kërkuar që vendimi të rishqyrtohet dhe t’i kthehen sa më shpejt veprimtarisë së tyre.

Doçi: Vendimi është në kundërshtim me agjendën e Qeverisë

“Vendimin që e ka marr Ministria besojmë që është në kundërshtim me agjendën e Qeverisë për përkrahjen e Universitetit të Prishtinës dhe universiteteve publike, dhe kërkesën e tyre që universitetet publike të gjenerojnë edhe të ardhura vetë nga burime të ndryshme nga bashkëpunime me ekonominë . S i përket vendimit të tanishëm kjo do të na godas edhe sa i përket përkrahjes së studentëve të cilët kanë kryer këtu praktikën profesionale jo vetëm në automjete por edhe në drejtimin e mekatronikës edhe në drejtimin e konstruksioneve dhe mekanizimit dhe tërë kohën kanë qenë këtu duke e  parë problematikën, kanë realizuar një numër të madh të diplomave. Kështu që ky vendim të revidohet, të rishqyrtohet dhe të na lëshohet vendimi që të vazhdojmë punën”, tha Doçi.

Kurse, prodekani për bashkëpunim në këtë fakultet, Shpëtim Lajqi ka deklaruar se me seriozitetin më të madh i kanë ndaluar të gjitha keqpërdorimet e mundshme me automjetet të cilat e dëmtojnë buxhetin e Kosovës.

Lajqi:Me profesionalizëm kemi shqyrtuar automjetet

“Ne këtu kemi pasur vazhdimisht automjete të cilat kanë pasur një trajtim profesional, ne jemi bazuar në programe më të avancuara të cilat i kemi marr me i shqyrtua automjetet, po ashtu kemi pasur raste kur me seriozitetin më të madh i kemi ndal disa keqpërdorime të cilat kanë mundur me ndodh për shkak se siç e dini automjetet janë gjërat më të ndjeshme, ka mundësi për me i ndryshua karakteristikat e tij, ka mundësi për të ndryshuar komplet formën e ndërtimit të tyre, por fakulteti me seriozitetin më të madh profesionizimin që e ka pasur nuk ka lejuar të bëhen manipulime të cilat e dëmtojnë edhe buxhetin e Kosovës”, u shpreh Lajqi.

Zyrtarë të MI-së bëjnë të ditur se marrëveshja e bashkëpunimit me Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike është ndërprerë pasi që ky institut bë  vetëm atestimin e jo homologimin e automjeteve ashtu siç e parasheh ligji në fuqi për automjete.

Këshilltari i ministrit Pal Lekaj, Eset Berisha ka thënë se sipas Ligjit për Automjete, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2017 nuk e parasheh kategorinë e atestimit por vetëm atë të homologimit individual.

“Dekanit  ia kemi shpjeguar në kabinet  gjatë kësaj jave se arsyeja për ndërprerjen e marrëveshjes të bashkëpunimit në mes ish Ministrisë të Transportit tani Ministrisë së Infrastrukturës dhe Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike është për shkak të ndryshimeve në ligjin për automjete. Ligji për automjete që ka hyrë në fuqi në vitin 2017 në maj nuk është paraparë kategoria e atestimit por vetëm homologimi individual. Meqenëse ata nuk e bëjnë homologimin por e bënë një subjekt tjetër për atë arsye është ndërprerë marrëveshja dhe Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike”, tha Berisha për KosovaPress nëpërmjet telefonit.

Sipas tij përmes plotësimit të kritereve që i ka përcaktuar Udhëzimi Administrativ  02/2018, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike mund ta vazhdoj veprimtarinë për homologimin e automjeteve.

Në vitin 2006 Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike kishte  nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ish Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunkacionit, me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe me Rektoratin e UP-së, marrëveshje kjo e cila këtë institucion e ka autorizuar për atestimin e automjeteve motorike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat