Doktorantët të aplikojnë për avancimet e reja akademike

Kosova

Doktorantët të aplikojnë për avancimet e reja akademike

Më: 8 maj 2018 Në ora: 12:25
Ministri Bytyqi në takim me Gjinovcin

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi ka ftuar doktorantët që kanë diplomuar jashtë vendit të aplikojnë për avancimet e reja akademike, në mënyrë që të bëhet përzgjedhja më e mirë në Universitetin e Prishtinës.

Ai komente i bëri në një konferencë për media, pas takimit që pati me përfaqësuesin e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovcin, me të cilin diskutuan për avancimet e reja akademike në Universitetin e Prishtinës dhe konkursin që mbetet i hapur deri më 14 maj.

Byqyqi tha se tashmë janë krijuar të gjitha kushtet që të ketë avancime akademike çfarë i kanë hije një universiteti siç është UP-ja, derisa siguroi se do të jetë një punë e drejtë duke respektuar të gjitha procedurat dhe rregulloret në fuqi, me të vetmin qëllim që studentëve t’iu ofrohet arsim cilësor.

Bytyqi: Kandidatët të aplikojnë në konkursin për avancime në UP

“Është shumë e nevojshme që të ketë aplikime sa më të shumta në Universitetin e Prishtinës, prej shumë kandidatëve e veçanërisht iu bëjmë thirrje kandidatëve të cilët kanë kryer doktoraturën në universitetet e njohura evropiane që të bëhen pjesë e këtij konkursi, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen. Sepse dëshirojmë si Ministri dhe padyshim se do ta kenë edhe përkrahjen e Qeverisë, që do të gjejë forma edhe stimuluese në mënyrë që këta profesorë eminent që kanë të përfunduar studimet në universitete të njohura, të bëhen pjesë e Universitetit të Prishtinës, atje ku ne po synojmë  që edhe UP të bëhet anëtar i familjes kaq të madhe evropiane dhe niveli i studimeve të jetë në këtë nivel”, tha ai.

Po ashtu, ministri Bytyqi shprehu gatishmërinë që si Ministri të mbështesin dhe përkrahin UP-në për çfarëdo që të ketë nevojë. 

Kësaj thirrjeje i është bashkangjitur edhe përfaqësuesi i Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), Rron Gjinovci, ku njëherësh tregoi për angazhimin e kësaj organizate që ka pasur për të arritur cilësinë me të mirë në Universitetin e Prishtinës.

Ai tha se vitin e kaluar kishin nisur një betejë për cilësinë në Universitetin e Prishtinës, me ç’rast kishin arritur që 70 raste të cilat kanë qenë të zgjedhura në mënyrë jomeritore, të preventohen.

Gjinovci tha se ky sukses nuk ka qenë vetëm i ORCA-s, por një rol të rëndësishëm ka pasur edhe menaxhmenti i UP-së dhe senati, derisa shtoi se rezultati i saj më i mirë i saj është nënshkrimi i një udhëzimi administrativ i cili e rregullon çështjen e platformës që konsiderohet nga instituti për avancime akademike.

Gjinovci: Të respektohen të gjitha aktet ligjore në fuqi për avancimet akademike

“Thirrja e parë e përbashkët është respektimi i përpiktë i të gjitha akteve ligjore në fuqi për avancimet akademike. Thirrja e dytë është aplikim sa më i madh i atyre që kanë kryer studimet superiore jashtë vendit dhe që mendojnë se i plotësojnë kriteret. Dhe, thirrja e tretë i drejtohet të gjitha institucioneve relevante dhe akterëve të tjerë që të ndihmojnë në krijimin e infrastrukturës për kthimin e trurit në vend, ku me infrastrukturë nënkuptojmë sigurimin e zbatimit të ligjit dhe sigurimin e mjeteve financiare për tu kryer ky veprim”, tha Gjinovci.

Sipas Gjinovcit, ORCA është e gatshme për monitorimin e procesit dhe garanton për mbështetje të të gjithë kandidatëve që i plotësojnë kriteret, me të gjitha mjetet institucionale e demokratike, deri në arritjen e meritokracisë së qind për qind.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi do të presë në takim përfaqësuesin e ORCA-s, Rron Gjinovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat