“Modernizimi” i administratës publike drejt finalizimit

Kosova

“Modernizimi” i administratës publike drejt finalizimit

Më: 12 maj 2018 Në ora: 11:50
Ministri Mahir Yagcilar

Ministria e Administratës Publike ka organizuar një punëtori me Sekretarët e Përgjithshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës për të diskutuar tre projektligjet e administratës publike.

Projektligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura, Projektligji për Zyrtarët Publik si dhe Projektligji për Pagat do të diskutohen gjatë punëtorisë ku do të trajtohen çështje kyçe të rregullimit dhe funksionimit të administratës publike të Republikës së Kosovës, siç është harmonizimi dhe nivelizimi i pagave si dhe rregullimi i punësimit të zyrtarëve publik në institucionet e Republikës së Kosovës.

Kjo u bë e ditur nga zyra për media e M8inistrisë së Administratës Publike dhe Pushtetit Lokal (MAPL), e cila ndër tjera njoftoi se në hapje të punëtorisë ministri i MAPL-së Mahir Yagcilar theksoj se këto tri projektligje përfaqësojnë iniciativën më gjithëpërfshirëse legjislative për reformimin dhe rregullimin e administratës publike në Republikën e Kosovës që është një hap qenësor për qeverisjen e mirë, funksionimin demokratik të institucioneve, fuqizimin e profesionalizimit dhe integritetit, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, dhe mbi të gjitha përmirësimit të shërbimeve ndaj qytetarëve.

“Më tutje Ministri sqaroj se këto tre projektligje janë edhe njëri prej kushteve kryesore të Kontratës për Reformën Sektoriale për Reformën në Administratën Publike midis Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian si dhe nga Agjenda e Reformave Evropiane (ERA). Miratimi i këtyre ligjeve jo vetëm që është domosdoshmëri për vendin por do të përforcoj pozicionin e Kosovës në procesin e integrimit Evropian si dhe do të rezultojë me përftime të drejtpërdrejta financiare nga Komisioni Evropian për Kosovën”, thuhet në njoftimin e MAPL-së.

Projektligji për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura përcakton rregullat për organizimin dhe funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të Pavarura të themeluara nga Kuvendi i Kosovës. Qëllimi i ligjit, sipas MAPL-së, është të krijojë një kudër koherent ligjor për krijimin dhe drejtimin, mirëfunksionimin, përgjegjshmërinë dhe performancën e institucioneve shtetërore dhe agjencive të pavarura.

Projektligji për Zyrtarët Publik ka për qëllim krijimin e kornizës ligjore për punësimin e zyrtarëve publikë në institucionet e Republikës së Kosovës të bazuar në merita, integritet moral, paanësi dhe qëndrueshmëri. Projektligji për Pagat përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për zyrtarët dhe funksionarët publik dhe rregullat për caktimin e pagave të punonjësve të ndërmarrjeve publike në Kosovë.

Punëtoria është organizuar në kuadër të projektit të MAP për “Mbështetje të Reformës së Administratës Publike”. Ministria e Administratës Publike synon që gjatë vitit 2018 këto tri projektligje të miratohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat