Komuna e Kamenicës punëson 22 persona pa konkurs

Kosova

Komuna e Kamenicës punëson 22 persona pa konkurs

Më: 30 maj 2018 Në ora: 12:05
Kamenicë

Shumë kush në Kosovë ka problem me energjinë elektrike për shkak të mospagesës së faturave ndaj kompanisë KEDS, mirëpo krejt të kundërtën, sipas auditorit e ka bërë Komuna e Kamenicës gjatë vitit 2017.

Në Kamenicë, Auditori ka gjetur se Komuna ka paguar për shpenzimet e energjisë elektrike ende pa i shfrytëzuar ato. Komuna e Kamenicës, kur kishte bërë pagesën e Energjisë Elektrike, kishte lënë afër 4 mijë e 500 euro parapagim.

Mirëpo, rregullat financiare sipas Auditorit e përcaktojnë qartë këtë, pasi që fillimisht bëhet pranimi i faturës dhe më pas procedohet me pagesë.

“Në pagesën e testuar për shpenzime të rrymës në vlerë 52,651€, shuma e faturave në total përbente vlerën 48,185€, ndërsa shuma prej 4,466€ nuk ishte e mbështetur me fatura por ishte bërë parapagim i shpenzimeve të parapara”, thuhet në raportin e Auditorit.

Auditori e sheh si rrezik këtë veprim të Komunës, pasi që thotë se këto pagesa mund të rezultojnë të parregullta dhe pa mbulim të ligjshëm.

Auditori gjithashtu ka gjetur se Komuna e Kamenicës kishte bërë pagesë me parat nga fondi i investimeve kapitale. Mirëpo, raporti i auditorit thotë se për nga natyra pagesa i takojnë kategorisë së mallrave dhe shërbimeve.

Komunat janë të obliguara në bazë të një Udhëzimi Administrativ që të bëjnë verifikimin e pronave e të paktën 1/3 të pronave të regjistruara. Mirëpo Komuna e Kamenicës, nga 10 e 676 prona të faturuara, ka verifikuar vetëm 521 prej tyre, apo 4 %.

“Nga 10,676 prona të faturuara, komuna kishte verifikuar vetëm 521 prej tyre, apo 4%. Sipas zyrtareve të komunës, mos arritja e verifikimit të 1/3 të pronave, ishte për shkak të numrit të pamjaftueshëm të punonjësve të angazhuar në këtë aktivitet”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas auditorit në Kamenicë gjatë 2017, janë angazhuar 22 punëtorë përmes kontratave mbi vepër, të cilët nuk kishin zbatuar procedurat e rekrutimit.

“Gjatë vitit 2017, në komunë ishin angazhuar gjithsej 22 punonjës përmes marrëveshjeve për shërbime të veçanta. Ndonëse sipas ligjit për shërbimin civil, neni 12, për emërime të tilla, zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit, komuna nuk kishte zbatuar procedura të tilla me rastin e përzgjedhjes së këtyre punonjësve”, thuhet në mes tjerash në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Madje, auditori kishte gjetur se këto punësimi me kontrata mbi vepër, në fakt kishin të bëjnë me pozita të rregullta dhe jo për punë me kërkesa specifike.

Komuna gjatë vitit të kaluar nuk kishte hapur ankand për dhënien e pronave të paluajtshme apo kiosqave për shfrytëzim afatshkurtër, e që sipas auditorit Komuna nuk e ka shfrytëzuar mundësinë të realizoj të hyra nga shfrytëzimi i këtyre pronave.

Komuna e Kamenicës nuk i ka përfillur rekomandimet që Zyra Kombëtare e Auditimit i kishte dhënë në raportin e vitit 2016. Nga 27 rekomandime sa kishin nxjerrë në 2016, kjo komunë kishte zbatuar vetëm 10 prej tyre, ndërsa 11 tjera kishin qenë në proces e sipër, raporton kallxo.

Gjatë vitit 2017 kryetar i Komunës së Kamenicës kishte qenë Begzad Sinani, ndërsa që nga fundi i vitit në krye të kësaj komune erdhi Qëndron Kastrati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat