Dëmet nga breshëri, “Stone Castle” humb 1.5 milionë kilogramë rrush

Kosova

Dëmet nga breshëri, “Stone Castle” humb 1.5 milionë kilogramë rrush

Më: 16 qershor 2018 Në ora: 19:54
Rrushi i demtuar

Breshri dhe vërshimet që kanë përfshi Komunën e Rahovecit gjatë dy ditëve të fundit, kanë shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore.

Dëmet janë të mëdha në të gjitha produktet bujqësore, si në plantacione të rrushit, specave, domateve, bostanit, pjeprave, të cilat kultura bujqësore kultivohen në Komunën e Rahovecit. Vetëm Kompanisë “Stone Castle” i janë dëmtuar tërësisht mbi 70 hektarë të vreshtave.

Ylber Bajraktari menaxher i Kompanisë “Stone Castle”,  ka treguar për dëmet e mëdha që i janë bërë vreshtave të kësaj kompanie, ku siç tha ai, këtë vit kanë humbur më shumë se 1.5 milionë kilogramë rrush.

Bajraktari: 70 hektarë të vreshtave të shkatërruara në mënyrë totale

“Kompanisë ‘Stone Castle’ i ka shkaktuar mbi 70 hektarë të  vreshtave të shkatërruara në mënyrë totale, dhe 30 hektarë, të cilët e kanë një dëmtim më të lehtë. Kompania ‘Stone Castle’, përveç punës që e ka bërë në kryerjen e këtyre vegjetacioneve, Kompania ‘Stone Castle’ ka investuar mbi 200-mijë euro vetëm në mirëmbajtjen e këtyre, që është një dëm shumë i madh, i cili edhe po shihet, ndërsa me rendiment aktualisht i kemi të humbur mbi 1 milionë e 500 mijë kilogramë rrush. Do të thotë 1.5 milionë kilogramë janë të dëmtuar nga ky vërshim”, tha ai.

Bajraktari i ka bërë apel Kuvendit Komunal, Ministrisë së Bujqësisë dhe qeverisë, që t’i del në ndihmë kompanisë dhe të gjithë bujqve të dëmtuar. Ai tregoi se edhe vitin e kaluar kanë pasur dëme të mëdha nga ngricat që kishin ndodhur në pranverë.

Bujku Bejtullah Kelmendi nga fshati Fortesë e Rahovecit,  i ka bërë apel Qeverisë së Kosovës që t’i ndihmojë bujqit e kësaj komune, pasi dëmi është shumë i madh, ndërsa tregoi se dëmet janë aq të mëdha, sa që bujqit do të detyrohen që të blejnë edhe vet prodhime bujqësore, sepse nuk do të mund të nxjerrin asgjë nga prodhimet e tyre.  

Bejtullahu: Nuk mbahet mend këso dëmi

“Nuk mbahet mend këso dëmi që është bërë nga breshëri. Bile fshati Fortesë nuk ka as plak që e mban mend këtë dëm. Këtu e ka përfshi fshatin Sopënicë rremi i breshërit, Ballacerrkën, gjysmën e Berrnajkut, krejt nuk ka lënë asgjë mbi tokë, qoftë rrushi, qoftë speci, bostani”, tha ai.

Kelmendi kërkoi nga qeveria e vendit që ta rivendos mbrojtjen nga breshëri, ashtu siç ka qenë në ish-Jugosllavi, ku siç tregoi asnjëherë nuk janë shkaktuar dëme nga breshëri, për shkak të mbrojtjes.

Bejtullahu: Në ish-Jugosllavi ka qenë mbrojtja

“Në ish- Jugosllavi, marre është mu përmend, por ka qenë mbrojtja,  ka qenë sistemi raketor që i ka mbrojtur nga breshëri, e kurrë këtë terren nuk e ka prekur breshëri”, tha ai.

Kurse bujku tjetër Ahmet Kelmendi, po ashtu nga fshati Fortesë, ka treguar se të gjitha produktet bujqësore të mbjella nga ai janë shkatërruar.   

Kelmendi: Kemi të mbjella me spec dy hektarë

“Kemi të mbjella me spec dy hektarë, bostan afër një hektar edhe pjepra pak. Ky dëm është i pazëvendësueshëm, ky dëm nuk përmirësohet... Na ka dërguar tash mbrapa edhe për dy vite tjera. Këto toka që i kam unë, i kam me qira, 2000 euro i kam veç qira me i paguar. Këtu leje që nuk fitoj asgjë, por nuk e di nga t’i bëj parët për qira”, tha ai.

Po ashtu edhe Kelmendi ka kërkuar ndihmë nga Qeveria dhe është ankuar se deri me tani nuk janë vizituar nga askush, edhe pse dëmet kanë qenë tepër të mëdha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat