SHSKUK: Sallat e operacionit kanë punuar dhe po punojnë me kapacitet të plotë

Kosova

SHSKUK: Sallat e operacionit kanë punuar dhe po punojnë me kapacitet të plotë

Më: 18 qershor 2018 Në ora: 11:14
QKUK

Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar e Kosovës, njofton se të gjitha sallat e operacionit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përfshirë edhe Klinikën e Urologjisë, kanë punuar dhe po punojnë me kapacitete të plota, pas furnizimit me sasi të bollshme të anestetikëve nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Kështu pohon përmes një kumtese për media, Zyra e Drejtorit të Përgjithshëm SHSKUK, pas disa shkrimeve të sotme në media për anulimin e operacioneve për shkak të mungesë së barnave, të cilat, kjo zyrë i quan tendecioze.

“Protokollet- evidencat  e  sallave  të operacionit në Urologji, vërtetojnë se  janë kryer të gjitha operacionet e planifikuara dhe ato urgjente.Gjithsej vetëm  dy javët e  kaluar janë kryer 39 operacione  me anestezion të përgjithshëm dhe nuk ka dështuar asnjë operacion. Poashtu, Barnatorja Qendrore  QKUK- SHSKUK,  konfirmon se të gjitha klinikat dhe Spitalet e Përgjithshme janë të mbuluar për tre muajt e ardhshëm në sasi të mjaftueshme me anestetikë të nevojshëm për sallat e operacionit”, thuhet ndër tjerash në reagim.

QKUK- SHSKUK, siguron të gjithë qytetarët që kanë nevojë se sallat janë në funksion të plotë dhe këtë shërbim mund të marrin në çdo kohë në klinikat  dhe spitalet përkatëse që janë në kuadër të SHSKUK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat