Vrançi, hardhi dhe verë me traditë shumëshekullore

Kosova

Vrançi, hardhi dhe verë me traditë shumëshekullore

Më: 20 qershor 2018 Në ora: 16:15
Në Rahovec filloi simpoziumi shkencor dyditor me titull “Vlera dhe ardhmëri të hardhisë dhe verës Vranç”

Nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, dje në Rahovec filloi simpoziumi shkencor dyditor me titull “Vlera dhe ardhmëri të hardhisë dhe verës Vranç”.

Simpoziumi shkencor me problematikë vlerësimin më të madh të Vrançit është i pari i këtij lloji me natyrë monotematike, pararendës i veprimtarive të tilla shkencore edhe për kultivarët e hardhisë dhe llojeve të verërave shqiptare, në përputhje me strategjitë e zhvillimit të qëndrueshëm e politikat e kërkimit shkencor për bujqësinë dhe zhvillimin e vreshtarisë e verëtarisë.

Ky simpozium do të jetë një mundësi më tepër për rritjen dhe nxitjen e prodhimit dhe përfitimit më të mirë ekonomik, si dhe bashkërendimit mes institucioneve për vreshtarinë e verëtarinë mbarëshqiptare.

Në hapje të këtij simpoziumi i pranishëm ishte edhe Ministri i MBPZHR-së, Nenad Rikalo i cili pasi përgëzoi organizatorët për këtë punim shkencor e kërkimor, shtoi se punime dhe kërkime të tilla janë më se të nevojshme dhe shumë të rëndësishme për zhvillimin e sektorit, duke marrë parasysh potencialin e madh të kultivimit të hardhisë në këtë rajon.

“Ne si ministri kemi hartuar Strategjinë për Sektorin e Vreshtarisë, Verëtarisë dhe Rrushit të tryezës për periudhën 2019-2023 dhe me aprovimin e saj do të rregullohen çështjet e prodhimtarisë, konkurrencës së lirë, si dhe zhvillimit të mëtejmë të sektorit të rrushit dhe verës në vend.

Ajo që dëshiroj të them sot është që MBPZHR-ja do të vazhdoj të përkrahë fermerët dhe sektorin e vreshtarisë në përgjithësi, pasi ju e dini se përmes Programit të Pagesave Direkte për sektorin e vreshtarisë ne ndajmë 1 000 Euro/ha dhe kjo sigurisht që është shumë e madhe krahasuar me vendet e rajonit. Shuma të cilën po e investojmë në këtë sektor është rreth 7 milionë Euro, e cila krahasuar me sektorë të tjerë është një vlerë shumë e madhe.

Gjithashtu, fokusi ynë është që pos kësaj përkrahje, fondet tona t’i orientojmë edhe krah programeve shkencore dhe me këtë rast ju përgëzoj për këtë iniciativë që sot na bashkoi”, tha mes tjerash Ministri Rikalo.

Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se nga ky simpozium presim konkluzione të mira dhe fakte reale rreth mundësive të zgjerimit të sipërfaqeve me hardhi të rrushit të varietetit autokton Vranç dhe me varietete të tilla të cilat janë trashëgimi dhe storie e suksesit për komunën tonë.

“Presim që edhe në vazhdimësi të kemi bashkëpunim dhe partneritet të plotë me Ministrinë e Bujqësisë dhe gjithë ekspertizën e saj, si dhe me partnerët tanë nga Shqipëria që vërtetë të kemi shumë më shumë kultivues të sipërfaqeve me hardhi të rrushit dhe në këtë mënyrë të vërshojmë tregun rajonal dhe më gjerë me produkte tona cilësore” shtoi kryetari Latifi.

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar një sërë aktivitetesh, siç është mbajtja e Forumit të Verërave të Kosovës (prezantim dhe degustim i verërave me objeksion Vrançin), ekspozitë dhe panair i verërave Vranç ku u degustuan – shijuan verërat Vranç të prodhuara në venaritë e Kosovës, Shqipërisë dhe Malit të Zi. Gjithashtu u ndanë edhe diploma mirënjohëse për të gjitha venaritë pjesëmarrëse në këtë simpozium.

Rahoveci, që njihet ndryshe si kryeqendra vreshtare dhe verëtare e Kosovës, por edhe mbarëkombëtare, mbartë tradita shumëshekullore dhe të spikatura për këtë veprimtari, me 2 400 hektarë me vreshta dhe me dhjetëra venari, ku prodhohen rreth 10 milionë litra verë në vit.

Vrançi, ky lloj i hardhisë dhe verës tejet të lashtë vendase e cila përhapjen më të madhe e ka në komunën e Rahovecit me 460 hektarë të mbjellë me vreshta dhe 19 venari, ku gjatë vitit prodhohen rreth 3,4 milionë litra verë Vranç.

Vlenë të theksohet se ky simpozium u realizua në bashkëpunim të ngushtë mes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural konkretisht Departamentit të Vreshtarisë dhe Verëtarisë dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë konkretisht Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë së Kosovës, Fakultetit të Bujqësisë në Tiranë, si dhe Shoqatën e Verëtarëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat