Lansohet aplikacioni “Dhuro Gjak”

Kosova

Lansohet aplikacioni “Dhuro Gjak”

Më: 21 qershor 2018 Në ora: 12:08
Lansohet aplikacioni “Dhuro Gjak”

Me qëllim të arritjes së sensibilizimit dhe njoftimit të qytetarëve për rëndësinë e dhurimit vullnetar të gjakut, gjatë ditës së sotme është lansuar platforma dhe aplikacioni “Dhuro Gjak”.

Ky aplikacion është krijuar nga studentët e Institutit Riinvest, mbështetur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë dhe Ministria e Shëndetësisë.

Me rastin e lansimit, kreu i Ministrisë së Shëndetësisë, Uran Ismajli, u shpreh se ky aplikacion do të ndihmojë në zgjidhjen e problemeve me të cilat përballen si institucion.

Ismajli: Problemeve që i kemi ju jepet një zgjidhje moderne

“Kemi një aplikacion të paktën të parin prej që unë jam ministër në të cilën jepen problemet, të cilat i kemi pasur për vite me radhë ju jepet një zgjidhje moderne, një zgjidhje përmes aplikacioneve të cilat sot e dimë se sa janë të shpërndara në mënyrën se si e kemi të gërshetuar jetën tonë me teknologji. Për ministrinë, drejtoreshën dhe për të gjithë qytetarët do të jetë një lehtësim shumë i madh, do të ketë mundësi që të shohim se cilat janë rezervat tona, cilat janë nevojat tona. Në anën tjetër kemi mundësi t’i paralajmërojmë njerëzit, ju e dini që shpesh herë po përdoren rrjetet sociale për të dhuruar gjak, tani e kemi një mundësi që ta bëjmë një paralajmërim ose një apel më të shpejt për të gjithë”, tha ai.

Ndërsa, zëvendësshefi i UNICEF-it në Kosovë, James Mugaju, tha se ky aplikacion për dhurimin e gjakut është një shembull se si përdoret teknologjia për të shtuar efikasitetin.    

Mugaju: Kjo ka të bëjë me inovacionin social në shëndetësi

“Kjo ka të bëjë me inovacionin social në shëndetësi. Ky aplikacion për dhurimin e gjakut është një shembull se si përdoret teknologjia për të nxitur efikasitetin, kualitetin dhe ndryshimin social. Kjo është më tepër krijim i zgjidhjeve të thjeshta  për problemet komplekse. Kjo është ajo çfarë inovacioni duhet të bëjë dhe ne jemi shumë të lumtur për këtë. E gjitha ka nisur si një ide e madhe, ide e teknologjisë së lartë, e cila është transformuar në një aplikacion të telefonit mobil për të përmbushur nevojat sociale”, tha ai.

Edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Transfuzionit të Gjakut, Bukurie Zhubi shfaqi shpreson se ky aplikacion të ndikojë në rritjen e numrit të vullnetarëve që dhurojnë gjak.

Zhubi: Ky aplikacion është i mirëseardhur për ne

“Është e qartë që në ditët e sotme teknologjia informative ka peshën dhe rëndësinë e vet në përcjelljen e mesazhit për dhurimin vullnetar të gjakut. Kështu që çdo inovacion i ri është i mirëseardhur për punën tonë”, tha ajo.

Ndërkaq, rektorja e Institutit Riinvest Bardha Qirezi, tha se kur kanë filluar punën për krijimin e këtij aplikacioni kanë pasur krijimin e një lidhje në mes të qytetarëve dhe institucioneve.

Qirezi: Krijimin e një lidhje në mes të qytetarëve dhe institucioneve

“Ky aplikacion mobil ka për qëllim ngritjen e efikasitetit të regjistrimit dhe mobilizimit të dhuruesve të gjakut, duke përdorur informacione të rëndësishme për historinë e dhuruesve, lokacionin, si dhe krijimin e një lidhje në mes të qytetarëve dhe institucioneve”, tha ajo.

Prezantimin e platformës për dhurimin e gjakut e bëri Arbër Kukaj, i cili është pjesë e grupit zhvillues të saj. Ai tha se kjo platformë do të gjendet në aplikacionet ueb, Android dhe IOS.

Kukaj: Aplikacioni gjendet në ueb, android dhe IOS

“Platforma “Dhuro Gjak” është e shtresëzuar në aplikacionin ueb, android dhe IOS. Aplikacioni ueb dhe Android tashmë janë të qasshme edhe për publikun, IOS pritet brenda ditës ose më së largu nesër të aprovohet nga Apple”, tha ai. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat