Rezultatet preliminare mbi ndotësit kryesorë në Kosovë do të jenë gati në tetor të këtij viti, pas studimit të hollësishëm një vjeçar nga ekspertët japonez.
Kjo është bërë e ditur sot nga ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), ku është biseduar rreth fazës së parë të projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve për Kontrollin e Ndotjes së Ajrit.
“Zvogëlimi i ndotjes së ajrit është shumë i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, pasi fusha e mjedisit mbetet ende problematike. Me anë të këtij projekti katër milionësh, ne do të listojmë emetuesit e mëdhenj të gazrave dhe do të dizajnojmë politikat zhvillimore për kontrollimin e ndotjes së ajrit”, tha Reshitaj.
Kreu i MMPH-së deklaroi se në fund të këtij projekti do të ketë një plan të qëndrueshëm dhe efikas të monitorimit të ndotjes së ajrit.
Ndërsa përfaqësuesi i JICA-s, Yamanda Taizo, tha se projekti ka për qëllim që të zhvillojë kapacitetet e palës kosovare për trajtimin e ndotjes së ajrit.
Ndryshe, ky projekt ka filluar vitin e kaluar dhe për më pak se një vit, pala kosovare ka nisur shumë punë të rëndësishme për kontrollin e ndotjes së ajrit me ekspertët e JICA-s.
Në kuadër të këtij projekti katër milionësh, parashihet analizimi i cilësisë së ajrit, listimi i burimeve të mëdha të ndotjes dhe vlerësimi i masave të kontrollit të ndotjes së ajrit.