Harrohen masat për mbrojtjen e ajrit, nesër hidhet një ton fishekzjarre

Kosova

Harrohen masat për mbrojtjen e ajrit, nesër hidhet një ton fishekzjarre

Më: 13 korrik 2018 Në ora: 17:45
Foto ilustrim

?Koncerti i përvitshëm i ProCredit Bank në hapësirën e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, ka ngjallur reagime rreth përdorimit të tepër të fishekzjarrëve në një hapësirë ku afër ka objektet e fakulteteve dhe ndërtesave të banueshme me qytetarë.

Nesër me 14 korrik, sikurse edhe vitin e kaluar, në këtë koncert do të përformoj këngëtarja nga Shqipëria, Elvana Gjata.

Mirëpo, përmes një reagimi, organizata për mbrojtjen e ambientit, Let’s Do It Kosova, ka shprehur shqetësimin për hedhjen e fishekzjarrëve brenda hapësirave të Kampusit Universitar, që pritet të bëhet të shtunën, në kuadër të një koncerti që do të mbahet aty.

“Ne kërkojmë përgjegjësi nga institucionet që kanë dhënë leje për hedhjen e këtyre fishekzjarreve në një hapësirë të gjelbëruar dhe të banueshme. Aty afër, përveç Bibliotekës Kombëtare e objekteve të Fakulteteve që rrezikohen nga këto fishekzjarre, ka edhe ndërtesa të tjera të shumta, të banuara nga qytetarë. Institucionet përgjegjëse nuk është dashur të japin leje për një aktivitet të tillë, i cili përveç që është i rrezikshëm, është i dëmshëm për kryeqytetin, i cili veçse ka probleme të theksuara me ndotjen”, thuhet në reagimin e Let’s Do It Kosova.

Kjo organizatë, në rast se nuk merren masa nga institucionet për parandalimin e këtij aktiviteti, ju kanë bërë thirrje qytetarëve që të dalin për ta kundërshtuar këtë veprim.

Ndërsa, Destan Mustafa, udhëheqës i divizionit për armë, municion dhe eksploziv në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka thënë për KosovaPress, se ProCredit Bank është pajisur me leje për përdorimin e fishekzjarrëve.

“Po, ka leje të përdorimit në oborrin e Bibliotekës Kombëtare. Ka edhe pëlqimin e komunës. Për krahasim nga viti i kaluar, që ka qenë 3 tonë, këtë vit ua kemi lejuar vetëm 1 ton. Pra, për dy fish ua kemi reduktuar. Me ndalu nuk mundemi sepse me ligj lejohet përdorimi dhe blerja e tij”, tha Mustafa.

Mustafa po ashtu ka sqaruar se kur bëhet fjalë për një ton, duhet të kuptohet drejt se nuk bëhet fjalë për 1 ton barut.

“Duhet ta sqaroj se 1 ton fishekzjarre është bruto, me paketime me të gjitha, ndërsa neto mundet mi pas 60-70 kilogram barut”, sqaroi Mustafa.

KosovaPress, ka tentuar të kontaktoj edhe me përfaqësues të Bankës ProCredit, por që telefonat e tyre nuk kanë pasur qasje.

Ndryshe, muaj më parë, ku ajri në Prishtinë ishte tepër i ndotur, Qeveria e Kosovës bashkë me Komunën patën marr masa për parandalimin e ndotjes. Ky rast sikur bënë përjashtim. Ndërkohë shumë vendime janë lëshuar që bëjnë parandalimin e ndotësve të ajrit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat