Më 15 shtator nis aksion i gjerë për pastrimin e Kosovës

Kosova

Më 15 shtator nis aksion i gjerë për pastrimin e Kosovës

Më: 9 gusht 2018 Në ora: 10:32
Pamje nga video

(E plotësuar) - Gjendja alarmante e mjedisit në Kosovë ka shtyrë Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në bashkëpunim me Qeverinë dhe shoqërinë civile që më 15 shtator të nisin aksionin për pastrimin e ambientit, i cili pritet të zgjasë tre muaj.

Kjo u bë e ditur gjatë një konference për media të mbajtur pas takimit të parë të Task Forcës për pastrimin e mjedisit të Kosovës, udhëhequr nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Zëvendësministri i MMPH-së, Fatmir Matoshi, tha se më 15 shtator fillon aksioni më i madh për pastrimin e mbeturinave në Kosovës.

Matoshi: Me 15 shtator po fillojmë aksioni më të madh të pastrimit në Kosovë

“Po fillojmë definitivisht më 15 shtator aksionin më të madh të pastrimit që është zhvilluar ndonjëherë në Republikën e Kosovës. Jemi të lumtur që për këtë qëllim, për këtë aksion kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, të kryeministrit Haradinaj, të shoqërisë civile dhe të të gjithë akterëve tjerë që janë të përfshirë këtu. Gjatë javës së ardhme do ta kemi versionin final të planit të aktiviteteve,  do ta kemi planin e punës dhe përgjegjësit e secilit institucion që është i përfaqësuar”, tha ai.

Matoshi ka thënë se gjendja e ambientit është alarmante, ndërsa bëri të ditur se  njësia e policisë së gjelbër do të funksionalizohet së shpejti.

Matoshi: Do të nxjerrim udhëzimin administrativ për gjobat mandatore

“Gjatë këtij tremujori ne do nxjerrim udhëzimin administrativ që parasheh gjoba mandatore për të gjithë ata që hedhin mbeturina në vende që nuk janë të lejuara. Ky udhëzim do të finalizohet në periudhën sa do të zgjasë aksioni. Mandej strategjia nacionale për menaxhimin e mbeturinave do jetë e përfunduar brenda tre muajve sa do të zgjasë aksioni, do të aprovohet. Një çështje tjetër ajo e njësisë së policisë së gjelbër do të funksionalizohet fuqishëm brenda kësaj kohe”,  ka deklaruar Matoshi.

Ndërsa, Donjeta Gashi nga Zyra e kryeministrit, u shpreh se ky aksion është i veçantë, i cili do të punësojë rreth 1 mijë punëtor sezonalë.

Gashi: Ky aksion është një plan gjithëpërfshirës

“Është një plan gjithëpërfshirës që ka për brenda gjithë akterët, të cilët mund të kontribuojnë që të përmirësohet ambienti në Kosovë dhe pastaj do vazhdojmë me vendime të cilat i përmenda qysh në fillim dhe që janë zotim i kryeministrit. Parashikohet edhe punësimi i rreth 1 mijë punëtorëve sezonalë, të cilët do punojnë gjatë këtyre tre muajve nga ana e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të cilët do të marrin pagën mesatare që jepet në Kosovë“, u shpreh ajo.

Luan Hasanaj nga organizatat jo qeveritare “Ta pastrojmë Kosovën”, fillimin e këtij aksion e ka quajtur lajm të mirë pasi që janë mbledhur të gjithë akterët kryesorë për mbrojtjen e ambientit.

Misioni i kësaj organizate në këtë aksion, sipas Hasanajt, është mobilizimi i shoqërisë që të jenë pjesë e pastrimit dhe mbrojtjes së ambientit në vend.

Hasanaj: Misioni është të organizojmë në fushatë të madhe për këtë aksion

“Misioni kryesor dhe kontributin jonë kryesor si organizatë në komplet këtë aksion do jetë organizimi i një fushate të madhe ku të gjithë bashkë do të mundohemi të shkojmë derë më derë tek të gjithë qytetarët, t’i ftojmë të gjithë të bëhen pjesë dhe të vazhdojmë ta ruajmë mjedisin sepse ne mund t’i pastrojmë këto mijëra deponi, të cilat i kemi në vendin tonë, por pastaj është mirë që të jenë një plan i qëndrueshëm ku ne do t’i ruajmë dhe do kujdesemi për to”, ka thënë Hasanaj.

Nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë kësaj konference për media u bë e ditur se për të gjitha komunat e suksesshme të përfshira në këtë aksion do pasojnë edhe shpërblime.

Ndryshe, aksioni për pastrim do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës nga 600 deri në 700 mijë euro.

Mblidhet Task Forca për pastrimin e ambientit (Drejtpërdrejt)

Sot duke filluar nga ora 11:00 në katin e 18-të, ish objekti “Rilindja”, do të mbahet takimi i parë i Task Forcës për pastrimin e ambientit të Kosovës, udhëhequr nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Pas përfundimit të takimit do të këtë edhe konferencë për Medie.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat