Asfaltohen disa rrugë në grykën e Karadakut - Bota Sot
Asfaltohen disa rrugë në grykën e Karadakut

Kosova

E shtunë, 18 gusht 2018

Asfaltohen disa rrugë në grykën e Karadakut

Më: 10 gusht 2018 Në ora: 15:17
Investimet në fshatrat e Grykës së Karadakut kapin shumën e mbi 513 mijë euro.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, ka vizituar punët që janë bërë në asfaltimin e rrugëve në fshatrat e ndryshme në pjesën e Karadakut, duke përfshirë fshatrat, Zhegër, Pidiç, Stançiq, Dunav, Selishtë, Haxhaj, Shurdhan dhe Lladovë, që njëkohësisht i ka garantuar banorët e atjeshëm për vazhdim të investimeve deri në kompletimin e plotë të infrastrukturës në këtë regjion të rëndësishëm dhe potencial për zhvillimin e turizmit.

“Sot kemi vizituar Lladovën e cila është organizuar për mirëmbajtjen dhe organizimin për një ambient më të mirë, pastaj Zhegrën ku janë investuar projekte të ndryshme në infrastrukturë publike, pastaj palestrën dhe trajtimin e shtratit të lumit që do të bëhet së shpejti. Për këtë vit ne po punojmë në infrastrukturën rrugore. Në fshatin Selishtë, është duke u përgatitur rruga për asfaltim deri te shkolla e fshatit dhe gjithashtu  rruga për në lagjen “Hasanaj” për të inkuadruar tri lagjet e fshatit Selishtë”, ka thënë Haziri.

 “Në fshatin Çelik projekti i asfaltimit të rrugës është kryer dhe po punojmë në përfshirjen e të gjitha lagjeve në këtë pjesë me rrugë të asfaltuar. Gjithashtu, fshati Shurdhan dhe Pidiq është duke u punuar që të integrohen në infrastrukturë rrugore. Ndërkaq, fshati i fundit në këtë pjesë është Stançiqi, ku është trekëndëshi kufitar që Karadaku e quan “këmba e pulës”, aty ku ndahet Kosova, Maqedonia dhe Serbia si territor”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai ka potencuar se këto investime të Komunës së Gjilanit në këtë territor, janë bërë me qëllimin kryesor të hapjes së perspektivës në këtë pjesë të rëndësishme.

“Të gjitha fushat e bujqësisë kanë potencialin të zhvillohen më lehtë tani e tutje. Po ashtu, kjo zonë ka potencialin e fuqishëm të zhvillimit edhe të sektorit të turizmit që si potencial ekziston, por nevojiten investime edhe nga bashkatdhetarët tanë që kjo zonë të kthehet në rekreacion”, theksoi ai.

Kryetari Haziri ka pohuar se investime të njejta do të ndodhin edhe në pjesën lindore të Karadakut, që përfshinë fshatrat Burincë, Lipovicë, Sllubicë, Bukovik dhe Kokaj që do ta përmbyllin fazën e investimeve në infrastrukturë rrugore në këtë zonë.

Kurse, kryetari i Këshillit të Fshatit Çelik, Shefket Bajrami, ka thënë se investimet e Komunës së Gjilanit kanë bërë që kjo pjesë tani të ketë vlerë të lartë, sepse janë interesime të jashtëzakonshme që të bëhen shtëpi të reja, villa, e restorante, por edhe kthim i të shpërngulurve drejt qytetit.

“Ka ndodhur një lehtësim i madh i jetës së banorëve. Është ngjallur kjo pjesë. Ka fluks të fuqishëm për kthim dhe investim në këtë anë në të gjitha fshatrat. E falënderojmë kryetarin Haziri për investimet,sepse është kthyer shpresa për të jetuar këtu”, ka thënë Bajrami.

Investimet në fshatrat e Grykës së Karadakut kapin shumën e mbi 513 mijë euro.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test