Tre të infektuar nga ‘Nili Perëndimor’, Kosova e gatshme të përballet me këtë virus

Kosova

Tre të infektuar nga ‘Nili Perëndimor’, Kosova e gatshme të përballet me këtë virus

Më: 15 gusht 2018 Në ora: 16:46
Ilustrim

Institucionet shëndetësore në Kosovë thonë se janë të gatshme të përballen me “Virusin Nil”.

Ministri i Shëndetësisë bën thirrje për kujdes të shtuar publik, dhe thotë se janë duke i marrë të gjitha masat e nevojshme për trajtimin e virusit, bashkë me Klinikën Infektive.

Tre persona janë identifikuar deri tani që janë prekur nga “Virusi Nil” në Kosovë, ndërsa është bërë e ditur se një person ka vdekur. Ky virus përcillet  përmes thumbimit të mushkonjës së infektuar, por nuk bartet nga njeriu në njeri.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili ka deklaruar se janë duke i marrë të gjitha masat me Klinikën Infektive, që të përballen me këtë virus.

Ismaili: Institucionet duhet të marrin seriozisht përgjegjësitë që i kanë

“Ne jemi duke i marrë të gjitha hapat me Klinikën Infektive, mirëpo realisht ky është një kujdes i shtuar publik, kemi pas një kërkesë nga komuna edhe që të fillojnë  ta bëjnë kujdes nga mushkonjat, ngase ato janë bartëset kryesore. Pra, nuk është vetëm Ministria e Shëndetësisë, kërkon që gjitha institucionet ta marrin seriozisht në kryerjen e detyrave të veta”, tha Ismaili.

Ismaili bëri thirrje për kujdes të shtuar nga qytetarët dhe komunat, derisa deklaroi se Kosova është e gatshme të përballet me këtë virus.

Ismaili: Jemi të gatshëm të përballemi me virusin Nil

“Ne si Ministri e Shëndetësisë apo si Klinikë Infektive, jemi të gatshëm të përballemi mirëpo kërkon një kujdes të shtuar si nga popullata ashtu edhe nga komunat e tjera”, tha ministri i Shëndetësisë.

Deri më tani 17 persona kanë vdekur si pasojë e virusit të “Nilit perëndimor“ në të gjithë Evropën, e kjo vetëm brenda një jave.

Ndërsa në Kosovë është shënuar një rast i vdekur, që është një person i moshuar me sëmundje kronike të cilit ia ka rënduar gjendjen virusi i “Nilit Perëndimor”.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka deklaruar që situata është nën kontroll.

“IKSHPK është duke hulumtuar burimet e këtij infeksioni dhe situata është nën kontroll. Aktualisht nuk ka vend për panik. Nga qytetarët kërkohet që të kenë kujdes këtyre ditëve ku vërehet numër i shtuar i mushkonjave”, është thënë në një njoftim të IKShP-së.

Gjithashtu, u kërkua nga departamentet komunale që të bëjnë dezinsektimin në komunat përkatëse,  sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Edhe pse në rreth 80 përqind të rasteve, pacientët e infektuar nuk tregojnë asnjë simptomë, virusi i“Nilit perëndimor” mund të shkaktojë përfundim fatal te njerëzit.

Virusi transmetohet tek njerëzit kryesisht nëpërmjet pickimit të mushkonjave të cilat janë të infektuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat