Kosova organizon marsh për të pagjeturit

Kosova

Kosova organizon marsh për të pagjeturit

Më: 17 gusht 2018 Në ora: 07:42
Foto ilustrim

1,658 qytetarë/e (dhe më shumë) për 1,658 persona ende të pagjetur nga lufta e fundit në Kosovë!

Kjo është motoja e Marshit që do të mbahet për ata/ato që ende mungojnë. Marsh për të vërtetën! Marsh për drejtësi!

Marshi do të mbahet më 30 gusht në ora 12:00 Sheshin “Zahir Pajaziti”, do të vazhdojë përgjatë Sheshit “Nënë Tereza” dhe do të përfundojë në Sheshin “Skenderbeu”, pranë Ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Secili/a pjesëmarrës/e i/e marshit do të mbajë një pankartë me emrin e një personi të pagjetur. Pankartat do të ofrohen nga aktivistët e YIHR KS në Sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ky aksion mbështetet nga Kryqi i Kuq i Kosovës dhe Civil Rights Defenders.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, çështja e mbi 1,600 personave të pagjetur ende nuk është zgjidhur, ndërkohë që familjarët e të pagjeturve dhe shoqëria kosovare vazhdojnë të përballen me mohimin e të drejtës për të ditur të vërtetën dhe të drejtës për drejtësi.

Të gjithë kërkojnë përkushtim dhe angazhim më të madh nga institucionet relevante për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë për personat e pagjetur nga të gjitha komunitetet.

Andaj kësaj radhe, organizatorët bëjnë thirrje që t’i bashkohen të gjithë Marshit të parë në Kosovë për personat e pagjetur për të kërkuar drejtësi për të gjitha viktimat, pa dallim etnie.

“Është përgjegjësi e secilit/ës prej nesh që të ngrisë zërin për personat e pagjetur dhe familjarët e tyre. Dinjiteti, e vërteta dhe drejtësia për personat e pagjetur duhet të vihet në vend. Shoqëria kosovare nuk do të mund të arrijë pajtim dhe paqe të qëndrueshme pa u adresuar çështjet që lidhen me luftën, përfshirë fatin e personave të pagjetur”, thuhet nga organizatorët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat