E refuzuar nga të gjithë, rrëfehet viktima e dhunës në familje

Kosova

E refuzuar nga të gjithë, rrëfehet viktima e dhunës në familje

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 18:03
Foto ilustrim

Është vetëm 20 vjeçe, është nënë e një fëmije 1 vjeç dhe ish-grua e një burri që ka ushtruar dhunë ndaj saj.

Për shkak të ndjeshmërisë së situatës në të cilën gjendet kjo grua e re, Radio Evropa e Lirë nuk do ta publikojë identitetin e saj dhe as lokacionin ku është zhvilluar biseda me të.

Ajo sot jeton në njërën nga dhjetë shtëpitë e sigurta në Kosovë, të cilat kryesisht strehojnë viktima të dhunës në familje.

Ky fenomen ka nxitur së fundmi edhe protesta të organizuara nga shoqëria civile në Kosovë. Rasti i fundit një dhune të këtillë është shënuar në muajin gusht në një fshat të Gjakovës, ku një burrë vrau gruan e tij 40-vjeçe dhe vajzën e tij 9-vjeçare.

Gruaja 20-vjeçare, me të cilën biseduam sot, ende flet me shumë shqetësim për përjetimet e saj.

Tregon se si ish bashkëshorti i saj e ka mbajtur të ngujuar në shtëpi, pa asnjë mjet komunikimi me botën e jashtme…

“Ne jemi dashur me njëri-tjetrin. Në atë kohë marrëdhëniet kanë qenë ndryshe, ishim të lumtur. Vendosëm që të martohemi, por me marrëveshjen që do ta vazhdoj shkollimin, pasi unë e kam dashtë shumë shkollën, kam qenë nxënëse e shkëlqyeshme. Pas martesës ndryshoi gjithçka”.

Shpjegon dhunën që ka përjetuar, në kohën e përpjekjeve të saj për të gjetur mirëkuptim…

“Më ka rrahur me shuplaka, grushte, shqelma, dhe nuk i ka interesuar më pas gjendja ime, nëse jam alivanosur apo çfarë ka ndodhur me mua”.

Ajo flet edhe për mungesën e mbështetjes që mund t’i kenë ofruar autoritetet e rendit apo edhe vetë familja e saj.

“Sa herë kam shkuar në Polici, atje më kanë bindur të kthehem tek ai dhe më kanë thënë se këto gjëra nuk do të ndodhin më”.

Familja e saj ka thënë se do ta pranonin të kthehej prapa në shtëpi, por pa fëmijën e vogël, gjë të cilën ajo nuk pranoi ta bëjë.

Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar janë shënuar 1269 raste të dhunës në familje, viktima të të cilave kanë qenë kryesisht gratë.

Ndërkaq, gjatë këtij viti në periudhën janar-qershor janë evidentuar 628 raste.

Autoritetet e rendit në Kosovë nuk e bëjnë kategorizimin e vrasjeve që mund të kenë ndodhur në rastet kur është ushtruar dhunë në familje. Të dhënat e tyre flasin për 20 vrasje gjatë këtij viti, në të cilat janë përfshirë edhe rastet e vrasjeve nga dhuna në familje.

Organizatat joqeveritare ndërkaq, të cilat merren me strehimin dhe rehabilitimin e viktimave të dhunës në familje, thonë se trendi i raportimit të rasteve të dhunës në Kosovë është në rritje.

Erblina Dinarama, e cila udhëheqë njërën nga 10 shtëpitë e sigurta sa ekzistojnë në Kosovë, thotë se qendra e saj merret jo vetëm me strehimin, por edhe me rehabilitimin e viktimave. Aktualisht në këtë qendër jetojnë 10 gra dhe 9 fëmijë.

“Raportimi i grave që përjetojnë dhunë në familje është rritur dhe nevoja për të strehuar viktima të dhunës gjithashtu është rritur. Kemi pranuar 19 persona, ndonëse kemi kapacitet më pak”.

“Të gjitha gratë që strehohen i punësojmë, normalisht ato që janë të afta për punë. Gjithashtu fëmijët i dërgojmë në shkollë. Kjo strehimore vepron që nga viti 2000 dhe është e tipit gjysmë të hapur, pra ju lejohet grave të lëvizin, sigurisht në përputhshmëri me atë se sa është shkalla e rrezikshmërisë për to”.

Shtëpitë e sigurta financohen nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale me 50 për qind të shpenzimeve, kurse pjesa tjetër vjen nga donatorë të ndryshëm.

Dhe përveç financave, që me raste janë të kufizuara, këto shtëpi përballen edhe me një problematikë tjetër, kufizimin kohor që ua përcakton rregullorja viktimave për të jetuar në to.

Sipas rregullores që posedojnë të gjitha strehimoret, qëndrimi në strehimore i grave është i paraparë të zgjasë nga 3 deri në 6 muaj. Në disa nga këto shtëpi, ka ndodhur që për shkak të pamundësisë së rehabilitimit për një periudhë kaq të shkurtër kohore, viktimat ka qëndruar edhe deri në 9 vjet, në marrëveshje me udhëheqësit e shtëpive./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat