AGK reagon ndaj publikimit në media të listave të veteranëve

Kosova

AGK reagon ndaj publikimit në media të listave të veteranëve

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 14:21
Foto ilustrim

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka përcjellur me vëmendje debatin e ditëve të fundit për listat e veteranëve të luftës së UÇK-së, që dyshohet se në mënyrë të rrejshme kanë fituar statusin e veteranit.

AGK shpreh shqetësim për publikimin e të dhënave personale të këtyre qytetarëve në media.

Kjo formë e raportimit, është shkelje e të drejtave të njeriut, Kodit Etik të gazetarisë dhe ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale. 

“AGK kërkon nga kolegët gazetarë që në raste  të ndjeshme si kjo, por edhe në të tjera t'u përmbahen kritereve themelore profesionale dhe etikës së gazetarisë.  E kuptojmë që jetojmë në një kohë kur bëhet përpjekje e madhe për lajmin dhe senzacionin, por kjo nuk nënkupton se duhet të realizohet duke  shkelur parimet elementare profesionale e duke iu shërbyer padashje grupeve të caktuara që tentojnë të përdorin disa media për interesa e agjenda të tyre”, thuhet në reagim.

AGK mbështet fuqishëm punën profesionale të të gjithë gazetarëve në një mjedis jo të lehtë në Kosovë por, në anën tjetër kërkon edhe respektimin e parimeve bazë të profesionit.

“Besojmë se ky shqetësim i yni do të kuptohet qartë dhe drejtë nga të gjithë kolegët gazetarë”, thuhet në komunikatën e AGK-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat