Problemet në Telekom sfidojnë zbatimin e kodit telefonik +383

Kosova

Problemet në Telekom sfidojnë zbatimin e kodit telefonik +383

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Afati i fundit për zbatimin në tërësi të kodit telefonik të Kosovës +383 që është 31 tetori i këtij viti, po konsiderohet të jetë mjaft sfidues të arrihet nga operatorët e telefonisë mobile që veprojnë në tregun e Kosovës.

Kodi shtetëror i Kosovës i cili ishte ndarë në dhjetor të vitit 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU), ishte paraparë që të nisë më 30 qershor, por ky afat ishte shtyrë për 31 tetor, pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse Vala dhe Ipko.

Arsim Bilalli, zëdhënës në Telekomin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se janë të angazhuar me të gjitha resurset për të gjetur një zgjidhje, qoftë edhe të improvizuar, për të përmbushur afatin e paraparë nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).

Por, sipas tij, është tejet sfiduese arritja e afateve sipas planit të migrimit të ARKEP.

“Situata aktuale në Telekomin e Kosovës dhe kompleksiteti operativ dhe teknik në relacionet me partnerët tanë ndërkombëtar si faktorë kyç në implementimin e tërësishëm të kodit shtetëror, e kanë bërë tejet sfiduese arritshmërinë e afateve sipas planit të migrimit të ARKEP. Kjo do të thotë se ky proces është i varur nga specifikacionet operative, të cilat nuk mund të përfundohen vetëm duke u bazuar në resurset teknike të Telekomit të Kosovës”, thotë Bilalli.

Bilalli shton se Telekomi i Kosovës vazhdon të jetë në konsultime për asistencë teknike me partnerët ndërkombëtarë dhe së shpejti do të gjejë një zgjidhje të duhur për zbatimin e kodit të ri +383.

“Më së voni deri me datë 31 Tetor 2018 duhet të përfundojë në tërësi implementimi i kodit E.164 +383 në rrjetin e telefonisë mobile dhe të ndërpriten kodet tjera. Nga kjo datë, kodi +383 duhet të jetë kodi i vetëm për origjinim dhe terminim të trafikut ndërkombëtar në Republikën e Kosovës”, shton Bilalli.

Telekomi i Kosovës tani e sa kohë gjendet në krizë të thellë financiare. Borxhi i akumuluar ka arritur shifrën e 60 milionë eurove. Autoritetet në Kosovë kanë filluar që të ndërmarrin masa për të shmangur falimentimin e kompanisë.

Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, thotë për Radion Evropa e Lirë së më nuk do të ketë shtyrje dhe se operatorët duhet të respektojnë afatin.

“Kodi +383 me vendimin e nxjerr nga ARKEP është paraparë të zbatohet prej datës 31 tetor dhe me këtë janë njoftuar të gjithë operatorët. Presim që kodi + 383 edhe në telefonin mobile të zbatohet plotësisht deri më datën 31 tetor edhe nga operatorët. Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë për shtyrje apo informata se ky afat nuk mund të arrihet, megjithatë ARKEP bënë të qartë se data 31 tetor është afati i fundit dhe nëse nuk zbatohet kodi deri në atë datë atëherë do të zbatohen masat sipas Ligjit”, thotë Gashi.

Ndërkohë, në bazë të ligjit për komunikime elektronike, në raste të tilla, Autoriteti ka të drejtë ta dënojë ndërmarrësin deri në 10 për qind nga të hyrat vjetore nga aktivitetet që kanë të bëjnë me komunikimet elektronike, por nëse kalkulimi i një shume të tillë është i vështirë apo i pamundur Autoriteti e dënon ndërmarrësin me një shumë prej jo më shumë se 150 mijë euro.

Aktualisht, në Kosovë ekzistojnë dy operatorë të telefonisë mobile të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile "Vala" shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386) për të cilat Kosova duhet të paguajë kosto të lartë të shpenzimeve.

Të dhënat e Qeverisë së Kosovës kanë treguar se kostoja e përgjithshme e shkaktuar deri më tani nga mungesa e kodit telefonik ka arritur shifrën në mbi 200 milionë euro.

Ndërkohë, sa i përket telefonisë fikse, thirrjet hyrëse dhe dalëse tanimë vetëm se realizohen me kodin +383./rel

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat