Dëshmorët e Skenderajt përkujtohen në 20 vjetorin e rënies së tyre

Kosova

Dëshmorët e Skenderajt përkujtohen në 20 vjetorin e rënies së tyre

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 14:54
Dëshmorët e Skenderajt

Në nderim të veprimtarisë dhe jetës së dëshmorëve Naim Haxhiu, Kadri Mehmeti, Shemsedin Haxhiu dhe Xhevxhet Maliqi, sot në komunën e Skenderajt është mbajtur akademi përkujtimore si dhe është zbuluar pllaka përkujtimore në vendin e rënies së dëshmorëve të kombit Naim Haxhiu dhe Kadri Mehmetit, të cilët ranë së bashku në luftën për liri të vendit.

Zbulimi kësaj pllake, u vlerësua nga të pranishëm në ceremoni si dëshmia e sakrificës më sublime që shqiptarët dhanë për lirinë e Kosovës.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, theksoi se rënia e dëshmorëve të Prekazit dhe të qyteteve tjera, përfshirë gjithë Kosovën, dëshmon se shqiptarët do të jenë bashkë çdo herë.

Rënia e dëshmorëve, sipas tij është dëshmi e gjallë se ata luftuan për lirinë e vendit.

Haxhiu: Guri përkujtimor dëshmi e sakrificës për lirinë e vendit

“Sot këtu, kemi filluar me një gurë përkujtimor për të filluar ndërtimin e këtyre gurëve përkujtimor në vendin e rënies për të gjithë dëshmorët. Po fillojmë me Naimin e Kadriun jo fort larg vendit të rënies, por buzë rrugës. Që të gjithë ata që kalojnë këtij, të rinj e të reja, gjeneratë pas gjenerate të shohin se sa e shtrenjtë është liria që e gëzojmë sot”, u shpreh Haxhiu.  

Në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, para të pranishmëve me një fjalë rasti u paraqit këshilltari i tij Blerim Latifi, i cili tha se Kosova sot po përkujton një nga momentet më të rënda dhe më sfiduese.

Mirëpo sipas tij, është vepra e dëshmorëve, sakrifica e tyre më sublime, ajo që bëri që UÇK-ja të rezistojë dhe të qëndrojë.

Latifi: Lapidari na përkujton sa e shtrenjtë është liria

“Sot ne jemi mbledhur këtu, të zbulojmë një memorial, i cili jo vetëm ne, por edhe gjithë brezave që do të vijnë, do t’ju përkujtojë se sa e shtrenjtë është liria, se çfarë sakrificash u desh të paguajmë ne që të jemi të lirë. 22 shtatori në historinë e UÇK-së, padyshim është një nga momentet më të rënda dhe më sfiduese. Ajo ka qenë një ditë kur rreth 23 mijë ushtarë serb e sulmuan Qyqavicën në 6 drejtime. Ditë e cila për Serbinë konsiderohet dita e fundit për UÇK-në, mirëpo UÇK-ja mbijetoi, rezistoi...”, tha Latifi.

Në emër të komunës së Skenderajt, drejtori për Kulturë, Rini dhe Sport, Ramiz Shala vlerësoi lart kontributin e të rënëve në luftën e fundit në Kosovë, me ç ‘rast tha se dëshmorët janë vet liria e këtij vendi.

Shala: Dëshmorët tonë nuk u ndanë asnjëherë, ndërsa ne ndahemi nga pak

“Dëshmorët janë nderi dhe krenaria. Ata nuk u ndanë asnjëherë, ndërsa ne ndahemi ngapak. Të këtij populli që luftoi pa rreshtur për liri e shekuj, me radhë dëshmorët i dhanë gjak... Ata jetuan për ne. Ne kemi prore gjithkund e gjithherë të tillë. Të tillë i kemi bijtë e bijat tona sy shqiponjë. Të gjallë përherë në kujtesën tonë”, tha Shala.

Muaji shtator është muaji në të cilën janë shënuar disa aktivitete për nder të rënies së dëshmorëve të kombit gjatë luftës së fundit për liri, në Kosovë. Para pak ditësh u zbulua edhe pllaka e bashkëluftëtarëve të zonës së Drenicës, Xhevë e Fehmi Lladrovci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat